Biznesmeni Orest Sota ishte ditën e hene në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku është marrë në pyetje nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore. Thirrja e Sotës për t’u marrë në pyetje, është bërë për llogari të dosjes “Tahiri”.
Sota, i cili është liruar pak muaj më parë nga “arresti me burg”, është pyetur për lidhjet e tij me Tahirin dhe për ca udhëtime jashtë vendit që rezultojnë se janë bërë në të njëjtat ditë me ato të ish-ministrit. Për momentin, nuk jepen shumë detaje nga seanca e marrjes në pyetje e biznesmenit, të cilit iu gjetën 863 mijë euro vitin e shkuar në automjetin tip “Range Rover”, me të cilin po udhëtonte në Elbasan. Prokuroria dyshon se paratë e Sotës lidhen me aktivitete të jashtëligjshme të ish-ministrit nën hetim, Saimir Tahiri.
Kjo, pasi në mjetin e Sotës u gjetën edhe pasaporta detare të ish-ministrit. Por biznesmeni ka pretenduar se pasaportat detare ishin harruar nga shoferi i Tahirit, me të cilin ai ka miqësi. Megjithatë, hetimet vazhdojnë, si për Sotën, ashtu edhe për Tahirin. Vetëm pak ditë më parë, në Prokurori u pyet për Tahirin truproja i tij, Elvis Rexha. Më parë, janë pyetur edhe dy shoferët e ish-ministrit.
Por Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kërkojë masë më të rëndë shtrënguese për Tahirin, vetëm nëse ka prova të reja për lidhjet e tij me Habilajt.
Tahiri pritet që të merret në pyetje brenda kësaj jave, pas zyrtarizmit të lënies së mandatit të deputetit. Prokuroria dyshon se Tahiri, duke shfrytëzuar postin e ministrit të Brendshëm, ka favorizuar kultivimin dhe trafikimin e drogës drejt Italisë për grupin e Moisi Habilajt.
Ish-ministri ka lidhje të largëta familjare me Habilajt dhe këtyre të fundit u ka shitur një mjet tip “Audi”, të cilin e ka përdorur edhe pas shitjes për udhëtime në Greqi dhe Itali.