Nje dite pas vendimit te marre nga Gjykata, e cila pranoi gjykimin e shkurtuar, duke dënuar në total me 25 vite heqje lirie Dritan Dajtin për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 4 policë në gusht të vitit 2009, prokuroria ben me dije se do te beje rekurs.
“Panorama” meson se rekursi per Gjykatën qe e shpëtoi nga burgu perjete Dritan Dajtin do te behet sapo te dale i zbardhur vendimi ne fjale.
Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Seanca gjyqësore në Apel filloi në orën 09:00 të ditës së djeshme, ndërsa vendimi përfundimtar i pesëshes së gjyqtarëve është dhënë në orët e pasdites, duke mbyllur kështu një nga proceset më të gjata gjyqësore dhe të shoqëruar me bujë.
Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.
Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Por, kjo nuk është hera e parë që autori i vrasjes së 4 punonjësve të Policisë, Kastriot Feskajt, Altin Dizdarit, Sajmir Duçkollarit dhe Fatos Xhanit gjykohet në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie. Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.