Nga Admirina PEÇI
Prostitutat dhe fëmijët e rrugës konsideroheshin në vitin 1946 si një kërcënim i moralit publik dhe si një problem që do të gjente zgjidhje vetëm nëse hapeshin “shtëpitë korektonjëse” dhe “shtëpitë e izolimit”. Koçi Xoxe, Ministri i Brendshë i kësaj periudhe e analizon hollësisht gjendjen emergjente të shkaktuar nga këto dy kategori “të rrezikshme”.
Ai propozon hartimin e një ligji të posaçëm që do të t’i çelte rrugë hapjes së institutive të korektimit dhe izolimit për fajtorët e kësaj kategorie (fëmijët nën 18 vjeç dhe prostitutat).
Për ti paraprirë hartimit të këtij ligji Koçi Xoxe shkruan një “raport justifikonjës” ku analizon sipas tij shkaqet që kanë çuan këtë degjenerim dhe masat urgjente që duheshin marrë.
Propozimi i tij gjen përgjigje të shpejtë nga Kuvendi Popullor, i cili pas 9 ditësh e miraton këtë ligj, zbatimin e të cilit, më vonë do ta kishte në dorë vetë Minsitria e Brendshme. Më poshtë i sjellim të plotë të dy këto dokumente (propozimin e Koçi Xoxes dhe dekret ligjin e miratuar nga Kuvendi Popullor me 26 dhjetor 1946.
Raport -justifikonjës
Në konditat e reja shoqërore, krijimi i shtëpive të korektimit dhe t’izolimit, paraqet rëndësi të veçantë; shoqëria jonë trashëgon nga e kaluara e hidhur plot vese që shtrihen në vagabondazh, korrupsion dhe vepra të tjera në kundërshtim me rendin dhe moralin publik.
Për luftimin e çdukjen e këtyre veseve, pushteti i vjetër nuk është preokupuar kurrë ndonjëherë dhe s’mund t’ishte ndryshe, pse klikat antipopullore, që kishin në dorë atë pushtet, jo vetmë që nuk çanin kokën për moralin dhe shëndetin publik, por përkundrazi nxitnin dhe krijonin vet konditat e zhvillimit t’imoralitetit e të degjenerimit ndër masat e gjera të popullit. Sot pushteti popullor, i cili ka marrë si barrë që të fshijë dhe të shërojë rrënjësisht të gjitha sëmundjet e së kaluarës, shtron si problem kryesor luftimin dhe çdukjen e këtyre plagëve shoqërore.
Nga ana tjetër dyke marrë parasysh se ngjarje dhe faje të ndryshme kryehen edhe nga ana e fëmijëve të lënë pas dore nga prindërit ose kujdestarët e tyre ose nga ata që dyke mos patur banesë të caktuar, enden andej këndej dhe merren me vepra imoraliteti, mashtrime, vjedhje, etj, shpesh herë në mënyra të organizuara më së miri, sa vetëm në kohët e fundit ka qenë e mundur të zbulohen nga organet e policisë popullore, lind nevoja e grumbullimit të tyre në shtëpi të posaçme, e edukimit dhe e përmirësimit për t’i kthyer në shoqëri si element të vlefshëm.
Përveç kësaj fëmijët e kësaj kategorie nën 18 vjeç, dyke qenë të moshës më të vegjël, nuk janë dënuar dhe janë deklaruar të pafajshëm nga ana e gjykatave, gjë që i inkurajon dhe në mungesë të shtëpijave të korrektimit i le të lirë në ndjekjen e udhës së kriminalitetit dhe të përhapjes së tij në moshën e re.
Përsa i përket prostitucionit, megjithëse është i ndaluar dhe luftohet sistematikisht, përsëri ekziston, pse shumë femra e kanë bërë profesjon dhe, në një mënyrë ose tjetër vazhdojnë fshehtas udhën e korrupsionit dhe jetës parazitare.
Për t’i prerë hovin prostitucjonit parashikohet krijimi i shtëpive të korektimit dhe izolimit, në të cilat do të grumbullohen të gjitha prostitutat; këtu do të zhvillohet një punë e frytshme edukimi dhe do të krijohen kurse profesionale, në mënyrë që paralelisht me edukimin të krijohet ndjenja e punës dhe e jetës së ndershme.
Projektligja parashikon edhe marrjen e masave administrative (këshillim, largim të detyrueshëm nga vendbanimi i tij) kundër gjithë atyre prindërve ose kujdestarëve që nuk kujdesen për jetën dhe sjelljet e fëmijëve të tyre ose që vet ata i shtyjnë në udhën e korrupsjonit.
Në këto rrethana u përgatit dhe paraqitet projektligja e bashkëlidhur.
Tiranë 17/XII/1946
Ministir I P.të Mbrendshme
Koçi Xoxe
Dekret
Nr.256 dt 26/12/1946
Presidiumi I Kuvendit Popullor
Nr.5
Në mbështetje të art.54 të Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë
Pasi u votua nga kuvendi Popullor
Shpall
Ligjën nr.385 datë 26/12/1946 mi Institutet e Korektimit dhe Izolimit me titull e përmbajtje si vijon:
LIGJË NR.385 DATË 26/12/1946 MI INSTITUTET E KORREKTIMIT DHE TE IZOLIMIT.
Neni1.
Për të lëftuar veset e këqija dhe për të edukuar dhe përmirësuar fëmijët e rritur keq dhe prostitutat, në mënyrë që të mprohet morali publik dhe të evitohen ngjarjet që prishin rendin dhe qetësin publike, happen institute të korektimit dhe të izolimit.
Neni 2.
Në institutet e korektimit mbahen:
a)fëmijët nën moshën 18 vjeç, që me veprat dhe sjelljet e tyre janë të dëmshëm dhe të rezikshëm për shoqërinë si dhe ata që për shkak të moshës ose për mungesë provash nuk janë dënuar nga gjykatat për fajet e tyre.
b) prostitutat si dhe ata që ndihmojnë prostitucionin
Në institutet e izolimit mbahen ato gra që nuk ndreqen me gjithë përpjekjet që janë bërë për përmirësimin e tyre.
Neni 3.
Institutet e korektimit dhe të izolimit mvaren dhe administrohen nga Ministria e P. të Brëndshme.
Neni 4.
Organizimi i brendshëm i institutive të korektimit dhe të izolimit, funksionimi i kurseve profesionale, mënyra e edukimit të fëmijëve dhe të grave në këto institute, caktohen me rregullore të veçantë të Ministrisë së Punëve të Brëndshme.
Neni 5.
Kundrejt prindërve ose kujdestarëve që nuk kujdesen për rritjen e fëmijëve të tyre ose i shtyjnë në rrugën e koruptimit, do të merren masa administrative.
Neni 6.
Ministria e Punëve të Brëndshme ngarkohet me zbatimin e kësaj ligje.
Neni 7.
Kjo ligjë hyn në fuqi që nga data e shpalljes së saj në “Gazetën Zyrtare”
Tiranë më 26 dhjetor 1946
Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë
Sekretari
Sami Baholli
Presidenti
Dr. Omer Nishani /shqiptarja.com/