Zhvendosja e Teatrit Kombëtar siç parashikohet në pr/ligjin e kontestar nga artistët mbarë ka sjellë të tjera zhvillime paraditen e sotme. Ata kanë protestuar sërish dhe me shumë vështirësi kanë mundur të hyjnë deri në hollin e Teatrit Kombëtar.
Duke kërkuar transparencë për gjithçka pritet të ndodhë, artistët kërkojnë një takim me ministren Kumbaro.
“I bëjmë thirrje ministres Kumbaro që tu përgjigjet kërkesave tona, të bëhet çdo gjë transparente pasi e-mailet që supuzohet të jenë dërguar, nuk na kanë ardhur”,- thonë artistët.
Përderisa nuk është caktuar ende një datë se kur ministrja Kumbaro do t’i presë, artistët parashtrojnë datën 14 shkurt, të mërkurën në orën 16:00 në ambientet e TK-së dhe presin që Kumbaro të shkojë.
Më herët Kumbaro është treguar e gatshme t’i takojë artistët, ndërsa ka sqaruar se: “Ne jemi duke ndërmarrë një nismë ligjore që vjen si pasojë e kërkesave jo vetëm të artistëve por edhe të institucioneve kulturore, qendrore por edhe vendore siç është teatri i Korçës, për të krijuar mekanizma për organizimin e projekteve kulturore të cilat sot edhe për gjëra të vogla siç janë rekuizitat apo veshjet duhet të kalojnë në disa procedura burokratike të prokurimit, të cilat përpos të tjerash krijojnë edhe pengesë për krijimtarinë artistike.
Ligji aktual për artin dhe kulturën që është ai i vitit 2010 ka krijuar një mekanizëm lehtësimi për projektet kulturore që përjashton nga prokurimi nëpërmjet formulës së kolegjiumeve vetëm për Ministrinë e Kulturës. Ne gjykojmë që ky mekanizëm duhet të përhapet edhe tek institucione të tjera me qëllim decentralizimin dhe nxitjen e financuesve të tjerë për mbështetjen e aktiviteteve kulturore”
Në lidhje me ndërtimin e Kullës, Kumbaro tha se po mbarojnë punimet ne qendrën e artit e pagëzuar me emrin Turbina. “Salla aktuale e teatrit do të vazhdojë të jetë funksionale edhe për trupën e teatrit edhe për trupa të tjera. Teatri Kombëtar do vazhdojë të jetë në funksion deri ditën që do të na vijë projekti por trupa e tij do zhvendoset në një mjedis shumë komod dhe në këtë gjë e kemi dakordësuar më herët me artistët”. /balkanweb.com/