Disa banorë të Postribës kanë protestuar sot në lagjen (fshatin) Milan. Protesta e tyre është një formë për të kundërshtuar hapjen e një guroreje dhe ndërtimin e rrugës për makineritë e rënda të një biznesi. Banorët janë kundër këtij veprimi sepse sipas tyre, nuk bëhet fjalë vetëm për dëmtim të ekosistemit dhe prishje të kullotave, por edhe për rrezik shembje dhe rënie gurësh drejt banesave të tyre. Apeli i tyre shkon në drejtim të institucioneve për ndërhyrje.
Më herët, banorët kanë nënshkruar një peticion me 120 firma, dërguar presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe kryebashkiakes Ademi por deri tani askush nuk u ka dhënë përgjigje.
Po si qëndron e verteta e këtij bisnesi, që askush nuk guxon ti përmendë emrat? Qeveria Rama, përmes Ministrisë së Infrastrukturës, i ka dhënë licencë për nxjerrje inertesh (gurore) kompanisë “Babasi COO” me pronar ish- deputetin e PD-së Ndriçim Babasi. Burime që folën për ShkodraWeb bëjnë me dije se leja ka mëse 2 vjet që është dhënë për dy sipërfaqe, të cilat tashmë kanë ikur nga inventari i pyje/kullotave të Bashkisë së Shkodrës. Në sipërfaqen e parë, po punohet prej kohësh dhe krejt normalisht pa asnjë shqetësim nga banorët.
Ndërkohë, sipërfaqen e dytë që nuk është shumë larg nga e para, pronari Babasi ia ka dhënë me nënkontraktim një bisnesmeni tjetër, i identififkuar si Aleksandër Shytani. Siç është normale, për të lëvizur dhe transportuar inertet nga kantieri, nevojitet një rrugë për mjetet e rënda. Me të drejtë sipërmarrësi Shytani kërkon të ndrëtojë një rrugë. Ai ka kërkuar informacion në pushtetin vendor, i cili e ka orientuar për procedurat dhe kuadrin ligjor që duhet ndjekur. Megjithatë, nisja e punës tek sipërfaqja e dytë për shfrytëzimin e inerteve, nga një individ që e ka marrë si nënkontraktor, ka nxitur reagimet e banorëve.
Në rastin më të mirë, reagimi i banorëve është i çuditshëm sepse nuk kanë reguar kështu për nisjen e punës nga kompania e Çim Babasit por ndaj nënkontraktorit në sipërfaqen e dytë të dhënë me koncesion në emrin e Aleksandër Shytani. Nëse është i rrezikshëm Aleksandri, para tij duhet të ketë qënë edhe Ndriçimi. Pse u ngritën peshë nga Aleksandri dhe jo nga Ndriçimi?!
Bisnesmeni Aleksandër Shytani ka detyrimin ligjor të ndjekë të gjithë hapat ligjor për të ndërtuar rrugën për të hyrë në kantierin e tij. Por natyrisht, ai nuk besojmë se mund të ndryshojë emrin apo edhe mbiemrin, siç e thonë nën zë disa nga banorët që sot dolën në një protestë “të çuditshme” për vitin 2018.