Nga Blerti DELIJA
Protesta e opozitës ja arriti qëllimit! Në një orë e gjysëm ja doli të shuajë kufinjtë mes të majtës e të djathtës në një shesh ku si rradhë herë protestuan krah për krah socialistë dhe demokratë. Socialistë të LSI-së. Në aparencë nuk u shfaqën qejfmbetje që mund të ishin akumuluar nga 25 qershori. Pa dashur të ndalem tek loja edhe mediatike e shifrave, nuk ishte aspak protestë më e keqe apo më e dobët se atë të organizuara nga PD që nga 2013-a e këtej. Në shesh u hodh shifra 100 mijë ndërsa minimumi i saj nga mediat shkoi në 10 mijë protestues.
Kjo protestë solli në një farë mënyre edhe afrimin tek PD te atyre që konsiderohen kundërshtarë të Bashës brenda “shtëpisë blu”. Me përjashtime të vogla, edhe pse larg tribunës, të gjithë ishin në sheshin e protestës. Se çfarë ka menduar për më tej Basha, Kryemadhi dhe liderët e tjerë të asaj që po cilësohet “opozita e bashkuar” vështirë të perceptohet. Por tani nis detyra më e vështirë: mbajtja e ritmit por edhe mbajtja në këmbë e asaj “fryme” që u ngjiz nga protesta e 27 janarit.
Sipas gjasave, opozita pret një reflektim edhe nga shumica qeverisëse, që në këtë rast është vetëm PS-ja. Deri në këto momente, nësë mund të flitet për reflektim, ai po vjen përmes heshtjes. Së pari, nga vetë kryeministri Edi Rama. Është e vështirë të lexohet kjo heshtje. Sidomos për një person- politikan që edhe ka publikuar në rrjetet e veta sociale protestat e opozitës në të shkuarën.
Heshtja e Ramës është injorim? Është frikë nga shifrat apo tashmë opozita ka krijuar kauzë, “frymë” të ciles mund ti shërbejë me rritje kryeministri nëse përfshihet qoftë edhe me komente? Vështirë të zgjidhet një alternativë, edhe pse në fakt Rama ka një mundësi për të thënë diçka për protestën në “Komunikimin javor” të ditës së sotme.
Kryeministri Rama tanimë është nën trysninë e faktorit kohë. Sidomos lidhur me mundësinë e hapjes së negociatave për antarësim në BE. Ndërsa duket se ka rregulluar punët me Greqinë për një mbëeshtetje të mundshme, në horizont nuk duken sinjale të tjera pozitive për procesin e integrimit. Fakti që shefi i qeverisë e sheh mosçeljen e negociatave me BE-në si një dëm për rajonin më shumë se për Shqipërinë, tregon se nuk ka një “frymë” të përgjithshme dashamirëse.
Reforma në drejtësi, një kërkesë e vazhdueshme e ndërkombëtarëve, në “raundin e parë” u rrëzua në Kuvend nga opozita. Nga ana tjetër, nga 1 shkurti pritet të krijohet në vend një situatë e ngjashme me atë që u konstatua me “reformën e enegjisë”, tanimë me emertesën “reforma e ujit”. Edhe pozicionimi i fortë i opozitës tek varfëria, azilkërkimi i shqiptarëve në BE, çështja “Habilaj- Tahiri”, krijojnë një situatë aspak në favor të kryeministrit Rama në vijimësi. E gjithë kjo madje, mund të shkojë në favor të opozitës së bashkuar, një pjesë e të cilës pati guximin të kërkojë ndjesë publike për gabimet në raport me mundësitë e krijuar për qendrimin e Edi Ramës në pushtet.
Jehona e shpejtë që i bënë mediat ndërkombëtare protestës dhe zhvillimi i saj pa dëmtuar asgjë, pasuar edhe nga falenderimi publik i Ministrisë së Brendshme, janë tregues se tani për tani, Rama nuk ka çfarë të thotë. Deri kur do të zgjasë kjo heshtje? Vështirë të përcaktohet por sipas meje, nuk do të shkojë gjatë. Në thelb përveç se mediatik, Rama vijon të mbetet një publiçst edhe si kryeministër…