Shefi i Prezences se OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Borchardt ka theksuar mbrëmë se është në mbështetje të protestës së studentëve, për sa kohë që ajo është paqësore. Deklaratën Ambasadori Borchardt e ka bërë nga Shkodra, ku OSBE dhe Universiteti i Arteve hapën në hollin e Bashkisë së Shkodrës, konkursin studentor në artin pamor.
“Unë e mbështes protestën për sa kohë është paqësore”- tha ambasadori, ndërsa u shpreh se është në mbështetje edhe të dialogut.
“Krimi mjedisor”, ekspozita-konkurs me punime të studentëve të Universitetit të Arteve u hap fillimisht në Tiranë, në qershor të këtij viti, ndërsa në tetor-nëntor udhëtoi në Korcë. Të pranishëm në çeljen e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 31 dhjetor, ishte edhe Shefi i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
Ambasadori Borchardt u shpreh se krimi mjedisor është nje shqetësim për Shqipërinë pavarësisht reformave që janë bërë. Janë vetëm 32 raste që kanë shkuar në gjykatë. /Nga Senad NIKSHIQI/