Pas protestës së punonjëseve të kompanisë “Shqipëria Trikot” shpk në Shkodër, ka ardhur edhe reagimi i administratorit ligjor Gjergj Leqejza. Në një komunikim elektronik me mediat, Leqejza sqaron pozicionin e tij lidhur me protestën.
“Unë jam në Greqi e më kanë njoftuar se është një pakënaqesi e punëtoreve për disa probleme normimi që mendoj se në marrëveshje me partnerët italianë do të zgjidhen. Demokracia kështu e ka dhe për muë nuk është ndonjë “mëkat” të kërkosh të drejtën që mendon se të takon…por edhe mungesë informacioni nga ana e punëtoreve është.
Mendoj se do të zgjidhet me drejtësi e profesionalizëm kjo kërkesë e punëtoreve.”, thotë Leqejza.
Vetëm një ditë më parë, qarkulloi një ftesë- njoftim për mediat nga Dhoma Kombëtare e Proodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (fasonerisë), ku theksohej se ky sektor është në prag falimentimi total dhe duhet ndërhyrje e përbashkët me qeverinë.