ShkodraWeb është një hapësirë lirie por edhe promovimi për letërsinë, artin e kulturën. Në funksion të misionit të vet, ShkodraWeb jo vetëm promovon dhe argëton, por i vë në dispozicion hapësirën krijuesve. Është një mundësi e mirë promovimi për krijuesit por njëkohësisht, edhe një hapësirë ndryshe, për argëtim dhe reflektim.
Sot do të keni mundësinë të shijoni një prozë poetike nga autorja shkodrane Merita Bërdica. Është hera e parë që ajo përcillet tek lexuesit përmes ShkodraWeb por shpresojmë dhe urojmë të jetë fillimi i një bashkëpunimi në interesin reciprok dhe të audiencës tonë. Duke i uruar suksese Meritës, ju ftojmë ta lexoni prozën poetike “Asaj”.
Asaj!
Shkodra asht një vajzë e rritun në gjergjefin e blinit, e cila rrin’ tanë diten tue qendisë gojëdhana me ojna shumëngjyrëshe.
Asht unaza bajam e mbushun plot me diamant, të cilat pushojnë ndejshëm në pragun e çdo shtëpie.
Asht rituali i çdo guri qelibar, që ndez peshë kalldremin e çdo rrugice.
Asht, ai cepi i ballkonit, ku pikturohen puthjet papendueme, që i bien kryq e terthorë piaces, tue ulë kryt në turpet e shikueme.
Shkodra asht avulli e naltë sa maja e Taraboshit, e cila cik qiejt me kryenaltësinë e kurmit Rozafat.
Asht murla, i cili daganis eren ndër çati me oxhakun tym-thyrje e gështenjat mbështjellse nga rrudhat e nan’dajes bahen k’dim i netve të gjata.
Asht hajat fije’punuem në tezgjahun e saxhadeve, të cilat bubrrojnë mes gishtave të grave, hiladheqet e strukuna në fund të baulave-hajri.
Shkodra asht rruzë, të cilat në shkallat e gurta numërojnë përshkim gjylpanë, avashllekun defryem, të mermert në gjoksin e muzgut.
Asht peshtafti, i cili n’àjri të kadifes qukit virgjërinë e buz’kuqit, të fshehun në xherdek.
Asht kotull basme me gema lulesh, e cila përtej mureve të gurta s’pràn’ tuj pré dashurinë veref, syth-freski.
Shkodra asht çardaku i rrethuem me puplin, i cili merr zahmet me ta qerase nadjen me shurup drandofili.
Asht tyl, aromë e ujit brisk i dalun rrjedhshëm nga goja me dhambët rruzë i pusit, i cili ruen në nizhde bukuritë e petkut të krajlicave.
Asht pelhurë, bilur e diellit , e cila në anën e azhures terhek molinenat e ixhive shllunga-shllunga.
Asht xhamadan, i cili me sumllat e àrit presin në pasi odën e vajzave.
Shkodra asht fllad pranvere, e cila shkund thakët e shemshirëve të anuem në puthjet e xixëllonjave e fluturave bajrake.
Asht bylyzyk, i cili rrotullon sofren e miqve në dashni të përjetueme.
Shkodra asht faculeta, e cila gdhend në kindin e palosun fasligenin, lulellakumin, sendevesilin e danashoreve.
Asht grue shtatëzanë, e cila në hojet e bletëve lind Artin Ateist.
Shkodra asht ornament bahçesh, i cili ia shton ymnin mes zymbylave lulesh
Asht kafaz, në të cilin bylbyli nuk rresht’ tuj këndue kangën;
“Për ty paska kenë kismet”.
Shkodra asht zhegu i harrakatun në buzëqeshjet e fëmijëve, i cili atron rezen e deres me kitarren e gjinkalles.
Asht fat i zanafillave te zanatçive, ku telat e violines rimojnë kompozimin e ashikut.
Shkodra asht jare dyersh.
Asht shega devedishe.
Asht dekolte i liqenit.
Asht dekor i pulëbardhave.
Asht kornizë e qiellit.
Asht dashnore e tokes.
Asht bukuroshe e bishtalecit, valëve të liqenit.
Shkodra asht luleborë.
Asht përrallë e njëmijë netëve të gjata.
Shkodër, të qofsha falë!
Kush është Merita Bërdica
E lindur e rritur në Shkodër, diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi” dega Gjuhë-Letërsi në vitin 1991.
Aktzalisht është mësuese pranë shoqatës “Bashkimi Kombëtar” 2003-2016 Bassano del Grappa Itali.
Mertita ka marrë pjesë:
– Antologji “Poezi të Pabotueme” me poezinë “Ai”, Shkodër 2015.
-”Fryma” me prozën “Dritat e qytetit të huej”, Shkodër 2015.
– Revista letrare “Gegnia” me prozën poetike “Shemshirët”, “Kthim Maji”, “Puhiza”, Shkodër 2016.
– Antologjia “Gegnishtja Poetike” me poezinë “Gonxhia”, Shkodër 2018.
– ”Pena e Shkodrës” me prozen poetike “Gratë e Bukovskit”, Shkodër 2019.
– ”Pena e Shkodrës” me prozën poetike e vargun “Ikona”, “Drandofilja”, “Andrra”, Shkodër 2020.
– ”iIIz” Revista Letrare Tirana në të dy numrat me prozat poetike “Varse muzgu”, “Qyteti i plakun”, Tiranë 2018-2019.
– Gazeta “Mapo” suplement me prozat poetike “Personazhi”, “Nan’daja”, Tiranë 2020.
– ”Exlibris” me prozat poetike “Dashnorja e shekujve”, “Truma e Dugajve të Reja” 2020.
– Revista letrare” me poezinë “Bijë” 2020.
– Çmimi i parë fituar me poezinë “Më fal bir”, që është zhvilluar në Prishtinë 2019 nga “Kultplus”
– Tek faqja “ObserverKult” kam botuar disa shkrime dhe proza poetike “Mimoza”, “Ikona” Prishtinë.
– Ka marrë tubimin “Poetët shqiptare” 9 Mars 2019 zhvilluar në Prishtinë.
– Maj 2017 fiton çmimin e parë për poezinë “Gonxhia” dhe çmimi i dytë për fotografinë “Lulëkuqja”, çmime që jepen nga Bashkia Shkodër me rastin e Dites së Luleve.
– Maj 2019 çmimi i dytë për poezinë “Buzëmramja”, jepet nga Bashkia e Shkodrës me rastin e Dites të Luleve.
– ”Tirana Foto Festival” merr pjesë me 5 foto në aktivitetin që zhvillohet në Muzeun Kombëtar Tiranë 2020.
– Tek “GEGNISHT” merr pjesë me prozën humoristike “Shtëpia e vjetër” dhe fiton çmimin special Shkodër 2021.