Nga Blerti DELIJA
Ditët e fundit komuniteti LGBT është rikthyer në kryetemë të ditës. Fillimisht për takimet në gjimnaze për promovimin e “kulturës” LGBT e tani për diskriminimin pozitiv që kjo kategori do të ketë për strehimin social. Më herët, të paktën në disa struktura të caktuara shtetërore dhe OJF-ve të fuqishme, deklarimi si LGBT ishte një avantazh i madh për t’u punësuar.
Fakti që janë komunitet (ose të paktën kështu paraqiten apo ky është perceptimi më shumë se publik) mund t’u japë të drejta të shumta. Mirëpo, ky komunitet ka një specifikë që lidhet me orientimin seksual të antarëve të tij. Pra, ka të bëjë me një aspekt, i cili nuk ka asnjë arsye të demonstrohet apo promovohet, aq më pak në shkollat shqiptare. Jo vetëm në këtë rast, por në çdo rast secili e ka për b*ythën e vet orientimin seksual.
Deri tani, askush nuk i pengon as në demonstrimet e krenarisë që bëjnë edhe në rrugët e Tiranës. Madje, policia me të drejtë i merr në mbrojtje sa herë shfaqen publikisht në tubime. Edhe sa i takon legjislacionit, ata tashmë janë mjaft të mbrojtur dhe të njohur ligjërisht si komunitet. Edhe ajo çfarë konsiderohet “homofobi”, duket se nuk i ka dëmtuar dhe nuk do ti dëmtojë sepse secili nga ata që janë hetero, “ngushëllohen” me shprehjen “për b*thën e tyre e kanë”. E deri në keto momente, përveç rasteve sporadike (që mund të ndodhin me çdo komunitet tjetër), nuk janë ndjerë të kërcënuar. Për të vijuar me pjesën financiare, ky komunitet, përmes shoqatave përfaqësuese, ka marrë, merr e do të marrë më shumë se asnje komunitet tjetër, që mund të ketë edhe më shume halle e telashe në jetën e përditshme. Nëse mund të flitet për diskriminim të këtij komuniteti dhe përfaqësuesve të tij, mund të jetë vetëm diskriminim pozitiv, promovues.
Shqipëria që kemi sot, Europa dhe bota kanë mbërritur këtu ku jemi sot, duke patur si qelizë fillestare familjen. Familjen tradicionale, ashtu siç e krijoi Zoti apo edhe natyra: burrë, grua dhe fëmijë. Sot familja është e tronditur në themel edhe në Shqipëri. Veçoj Shqipërinë për shkak të frymës tradicionale, po të doni edhe konservatore të trashëguar. Mjafton të flasim për dhunën në familje, raportin prindër- fëmijë dhe nuk ka shumë nevojë për komente.
E pikërisht në këtë moment, shoqërisë shqiptare i prezantohet deri në imponim, edhe në shkollat publike “kultura LGBT”. Personalisht mendoj ndryshe, edhe pse teorikisht njohuritë edhe për komunitet, mund të jenë të pranueshme për një moshë të caktuar por që sipas meje, duhet të jetë mbi 18- vjeç. Mirë po, këta fëmijë që sot dëgjojnë t’u flitet për LGBT, fatmirësisht janë akoma “prodhime” të një familjeje tradicionale: nënë, baba, vëllezër e motra. Imagjinoni sa e vështirë është për ata të nisin të konceptojnë pa arritur moshën e pjekurisë ligjore njohjen, dashurinë deri në bashkëjetesë të dy njerëzve të të njëjtës gjini. E nuk po flas këtu për ata fëmijë që mbase janë viktima të skenave të dhunës verbale e fizike nënë- baba!
Të paktën 2000 vitet e fundit në Europë por edhe në pjesën më të madhe të botës, ka patur një mekanizëm që ka grishur njerëzit për paqe, bashkëjetesë edhe me të ndryshmen, tolerancën e mirëkuptimin. Kjo ka qënë feja, të paktën në parimet që shfaq publikisht. Pavarësisht ulje- ngritjeve, deviacioneve në misionin e tyre, askush nuk ka bërë dhe mund të bëjë më shumë për shoqërinë njerëzore. E gjithë kjo është arritur duke përcjellë imazhin e shëndëshë të familjes, të prindit, fëmijës, respektit për të afërmin.
Tani këtë rol, në emër të lirive dhe të drejtave po përpiqet ta marrë edhe komuniteti LGBT. Nëse feja, besimi e bëjnë në emër të një force madhore e hyjnore, të një “premtimi” për një jetë edhe përtej vdekjes, komuniteti LGBT në emër të kujt e merr këtë rol?! Nuk është e drejtë të sjell në vemendje që deri para 40- 50 viteve, edhe në vende shumë të zhvilluara deviacionet seksuale konsideroheshin sëmundje dhe kuroheshin nga mjekësia. Por sot është ndryshe. Çdokush mund të bëjë cfarë të dojë, por pa cënuar liritë e të drejtat e të tjerëve. Kjo do të thotë që edhe propagandimi deri në imponim i komunitetit LGBT, duhet bërë pa cënuar të drejtat e komuniteteve të tjera. Kjo do të thotë se, para se të hyjnë në gjimnazet shqiptare për të “shpalosur” liritë e tyre, kur nxënësit janë nën 18- vjeç, duhet marrë edhe mendimi i prindërve. Kjo do të thotë se shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë fillimisht propagandimin e vlerave të familjes tradicionale dhe më pas edhe të “modave” të reja.
Në këtë botë kemi pranuar të bashkejetojnë prej mijëra vitesh ata që besojnë në Zot- teistët, me ata që nuk besojnë në Zot- atesitët. Madje, jemi në atë pikë sa ka edhe përballje direkt, edhe publike, edhe në media. Tani edhe sarkazma me figura të konsideruara të shenjta nga mëse 1 miliardë njerëz në botë si Papa për shembull, është bërë një gjë e zakonshme. Kush janë ata që guxojnë të bllokojnë debatin edhe publik në mes homoseksualëve dhe heteroseksualëve? Pse homoseksualet duhet të promovohen dhe heteroseksualët duhet të rrijnë dhe të shohin se si po thërrmohen vlerat e tyre që për mijëra vjet ndërtuan botën? Atë botë që sot duket se u ka “hapur krahun” atyre që quhen “trend” apo “modë”!
Është e kotë ta fshehim: Jemi në startin e një “lufte” për mënyrën se si duam ta ndërtojmë të ardhmen, ashtu siç kemi bërë në mijëra vjet apo duam ta ndërtojmë në epruvetë? Sepse në finale, ajë që rrezikohet është e ardhmja e njerëzimit! Asgjë nuk u ndërtua në një ditë dhe asgjë nuk shembet në një ditë!