Kur kanë kaluar tre muaj nga arrestimi i agjentit të forcës operacionale Jeton Lami, me akuzën e bashkëpunimit me të kërkuarin Ervis Martinaj, ish polici ende nuk ka pranuar të flasë për hetuesit e çështjes.
Jeton Lami, vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar tri herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di, për Ervis Martinajn.
Sipas Ora News, Lami ka dhënë arsye kontradiktore para prokurorëve, duke shtyrë dëshminë e tij. Edhe në momentin kur Lami doli para gjykatës së Laçit për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”, ai nuk pranoi të flasë, megjithëse nga ana e gjykatës, ju dha mundësia për të komentuar akuzat.
Agjenti i policisë u arrestua në 24 gusht pasi në dy momente doli nga kamerat filmike, teksa shoqëronte Ervis Martinajn, personin e kërkuar nga prokuroria e posaçme SPAK, për akuzën e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve” me qëllim vrasjen e Endrit Dokles.
Por teksa SPAK dhe policia e kërkonte me qëllim arrestimin e tij, Martinaj është zhdukur në 8 gusht 2022. Në përpjekje për të gjurmuar të kërkuarin policia dhe prokuroria e Laçit, zbuloi se ai shoqërohej me agjentin e policisë Jeton Lami.
Në 24 nëntor, mbushet afati 3 mujor i arrestimit të Jeton Lamit, dhe pritet që hetimet ndaj tij të mbyllen duke përcjellë dosjen në gjykatë. Nga ana tjetër hetimet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ervis Martinajt, kanë mbetur në vendnumëro.
Për më shumë se 3 muaj, grupi i hetimit nuk ka asnjë të dhënë. Vetë oficerët e prokurorët, janë të dyzuar për të dalë me një version përfundimtar nëse Martinaj është rrëmbyer dhe vrarë apo e gjithë kjo situatë është një inskenim.
Përgjatë tre muajve shumë informacione operative kanë mbërritur në polici, se Martinaj është larguar nga Shqipëria, duke qëndruar i fshehur në Kosovë. Por pavarësisht këtyre të dhënave asnjë version nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Nga ana tjetër për të verifikuar çdo informacion, një muaj më parë policia ushtroi kontroll në dy banesa dhe një garazh në zonën e Shijakut, por nuk gjeti asnjë të dhënë që do shërbente për zbulimin e vendndodhjes së Ervis Martinaj.