Edhe ditën e sotme, drejtuesi i paraburgimit ku mbahej, me pëlqimin e prokurorit të çeshtjes, ka lejuar Erdgys Arrazin të marrë pjesë në varrimin e dy fëmijëve të tjerë. Si dy ditë më parë, edhe sot, ka qenë policia e Shkodrës që nuk ka marrë përsipër shoqërimin e një babai deri në varreza për ti dhënë lamtumirën e fundit fëmijëve të tij. Madje, jo një por tre fëmijëve që i humbi tragjikisht bashkë me nënën e tyre.
Kështu ndodhi edhe dy ditë më parë, kur nga arresti, babai 31- vjeçar përmes avokatit të tij, kërkoi leje për të varrosur vajzën e madhe që e nxorri të pajetë uji i lumit Buna. Shkresa më poshtë, tregon se drejtuesi i paraburgimit dhe prokurori, kishin dhënë pëlqimin që Erdgysi të lirohej disa orë, ndërsa policia e Shkodrës nuk e lejoi.
Pyetja më normale që ekziston: Pse policia e Shkodrës nuk merr përsipër shoqërimin e Erdgys Arrazit në varrimin e fëmijëve të tij? Nga kush rrezikohet jeta e tij që policia nuk merr përsipër shoqërimin e tij në varrim? Çfarë mund ti ndodhë 31- vjeçarit gjatë varrimit: mund të arratiset, mund ti bëhet atentat? A ka policia ndonjë informacion tjetër që akoma nuk ka dalë në media apo publik?
Është e pakuptimtë që për një tragjedi të këtyre përmasave, ku edhe i arrestuari Erdgys Arrazi nuk ka akoma prova të qarta për përfshirje direkt apo indirekt, të mos lejohet ti hedhë një grush dhe tre fëmijëve të tij, të cilët tashmë nuk do të mund ti shohë më kurrë fizikisht. Persona shumë më problematikë, edhe në ngjarje më pak tragjike, janë lejuar të përcjellin në banesën e fundit nënën apo babanë.