Nga Andi BUSHATI
Falangat e Edi Ramës janë hedhur në një kryqëzatë të dirigjuar për të denoncuar dhunën që disa segmente ende të vogla të shoqërisë po ushtrojnë kundër policisë, rrugëve të përbashkta dhe pronave të oligarkëve, me të cilët po qeveris kryeministri.
Dua të jem i qartë që në fillim.
Sipas meje kjo është thjeshtë vetëmbrojtje. Dhuna është tjetër gjë. Dhunë është ajo që po ushtron pushteti. Dhunë është që pronat publike, trojet pa pronarë të ndërtimit, inceneratorët për drjegjen e plehrave, pallatet tek Teatri Kombëtar dhe kulla tek stadiumi i falen oligarkëve që ndajnë paratë me pushtetin. Dhunë është kur për koncesionin e Check Upit shtohen pa nevojë paratë megjithëse në spitale nuk ka fonde për të sjellë mjekimin e kimioterapisë. Dhunë është kur një anonim i panjohur mik i ministrit, fiton koncesionin e pajisjeve mjeksore, që sot kirurgëve i thyen në duar. Dhunë është kur votat rrëmbehen me premtimin zero ndërtime dhe pastaj shpik qindra mashtrime vetëm për të mbushur xhepat me paratë e kullaxhinjve.
Pikërisht ndaj kësaj dhune, që dirigjohet nga tepsia e mbetur në një dorë të vetme duhet reaguar.
Ditët e fundit ne jemi ndeshur me dy lloj reagimesh.
I pari ishte ai i aktorëve të Teatrit Kombëtar. Ata u përballën me urdhërin për t’I nxjerrë për leckash nga godina, sepse aty duhej të ngriheshin gjashtë kulla mbi pronë publike. Me pathosin, edukatën, naivitetin dhe lirizmin që i karakterizon, këta artistë nisën të protestojnë. Por, as ditirmabet epike të Bujar Asqeriut, as racionaliteti serioz i Robert Ndrenikës, nuk patën asnjë efekt. Pa pyetur për zërin e tyre, madje duke i ndërprerë edhe publikisht fjalën Ndrenikës, Rama i mblodhi në kryeministri aktorët për t’u përplasur në fytyrë mandatën: “Gërmadha juaj do të shembet”. Natyrisht si gjithnjë me një projekt të miratuar vetëm nga ai dhe me një firmë ndërtuese që do t’i dhurohet tokë publike pa garë dhe tender.
Ashtu si me aktorët, Edi Rama mendoi të sillej edhe me kuksianët. Ai organizoi një tender banditesk, ku u zhduk sa hap e mbyll sytë fituesi i vendit të parë (më pas nën rrogoz u përdor një argument ergoganesk, se fituesit ishin gylenistë). Më pas ai nxitoi të vinte traun që në xhepat e konsesionarit të futeshin me urgjencë eurot e trafikut që vjen bashkë me stinën e verën. Dhe aq arrogant e mospërfillës ishte ky tra, sa që privati të mos harxhonte para për ndërtimin e shumë pikave, u caktua një taksë e njëjtë si për, atë që bënte rrugën Tiranë – Prishtinë, si për atë që duhet të bënte vetëm pak KM për të shpënë fëmijën në spital.
Kështu ishte kjo histori arrogance pushteti që nuk përfilli askënd tjetër përpos interesave të Ramës dhe koncesionarit. Kundër kësaj u ngritën kuksianët. Ata reaguan radikalisht, thyen traun, krisën xhamat, shkrumbuan kompjuterat dhe e rrëzuan barrierrën oligarkike që kërkonte tu merrte frymën.
Me sa duket kishin të drejtë.
Po të gjykosh nga justifikimet e sotme të kryeministrit del se po. Ai kërkoi ndjesë disa herë. Ai tha se qeveria kishte gabuar që nuk kishte bërë punën e duhur sqaruese. Ai filloi të flasë për klauzola kontrate që lehtësojnë banorët dhe ideja se kuksianët do të diskriminohen pozitivisht për taksën e rrugës, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetës edhe brenda mazhorancës (madje bashkë me të si bonus u dha dhe hapja e aeroportit që mbetet i kyçur prej vitesh).
Tani pyetja që shtrohet është: si mund të zmbrapset Edi Rama, me fjalimet poetike të Bujar Asqeriut, apo me shkopat dhe gurët e ‘vandalëve” kuksianë.
Vetëm me dy shembujt e fundit Rama na e ka dhënë përgjigjen e kësaj dileme. Ai dhe grupi i oligarkëve më të cilët ndan paratë, nuk pyesin për kritikat racionale dhe zërat e arsyeshëm. Ata tërhiqen vetëm para asaj që kanë filluar t’a etiketojnë si dhunë, megjithëse nuk është gjë tjetër veçse vetmbrojte e thjeshtë ndaj dhunës sistematike që po ushtrojnë prej pesë vitesh.