Ardian Braho, një nga prokurorët e dosjes që po heton abuzimet me privatizimin e kompanisë energjetike shqiptare, tek kompania çeke CEZ, është larguar nga hetimi i kësaj dosje. Mësohet se pak ditë më parë, prokurori Braho ka paraqitur tek drejtuesi i prokurorisë Dritan Rreshka, dorëheqjen nga ky hetim, kërkesë kjo që është miratuar. Pas largimit të Brahos, në këtë dosje voluminoze dhe tepër të debatueshme është futur si ndihmës, prokurori Erjon Imeraj.
Ky i fundit së bashku me Ndini Tavanin, po udhëheqin hetimin për këtë çështje shumë të përfolur në korridoret e politikës. Kjo pasi në procedurat e privatizimit dyshohet se është i implikuar dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Gjatë kësaj periudhë Berisha është marrë në pyetje në prokurori, duke pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me akuzat politike që i bëhen për privatizimin e kompanisë energjetike. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje është marrë në pyetje dhe ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli dhe një sërë ish-zyrtarë të tjerë. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të pyesë dhe biznesmenin Nue Kalaj, por për shkak se ky i fundit qëndron në Kosovë, prokurorët kanë dërguar një letërporosi në këtë shtet për të kryer marrjen në pyetje të tij.
Arsyet e këtij largimi të papritur të prokurorit shkodran, nuk janë bërë akoma publike. Ndërsa duhet thënë se në shtator 2016 prokurori Braho u denoncua nga emisioni “Stop” për marrjen e një rryshfeti 18 mijë euro për ti zgjidhur një çështje gjyqësore një qytetari.