Fort i trishtë ky mëngjes i të shtunës së 10 prillit 2021. Zgjim me një lajm shumë të keq, sidomos për ata që të njohën. Po pse u ngute me ikë o Anilë!?
Unë e di, siç edhe kolegët, se kjo jetë nuk u tregua aspak bujare me ty. Madje, në shumë episode të jetës, kallzoi anën e vet më mizore. Por prap ti gjete e gjithmonë gjeje forca për me ec përpara.
Unë e di se shumë nga të dashtunit e zemrës tande, nuk ishin pjesë e kësaj bote. Unë e di se të mungonin shumë, por shumë ata që ti ëndërroje ti kishte për shumë vite bashkëudhëtarë në këtë jetë. Unë e di se jo gjithmonë more atë që meritoje. Por prap luftoje, vazhdoje të jetoje, duke fitu mbi çdo gja. Ishte personifikim i forcës dhe i këmbënguljes.
Edhe këtë herë, besova, shpresova se do të merrje fitoren e rradhës. “Kolegë, ndodhem e shtruar në spital. Bënu fjalë mirë për mua. Flm”, ishte mesazhi i fundit që shpërndave në grup për kolegët. Të mërkurën, në orën 11.05. E të gjithë besonim se kjo murtajë e përbotshme, nuk do të të mposhtte.
E më vonë, mësuam se dëshiroje të qëndroje në Shkodër, të përballeshe me përbindëshin në qytetin ku u përballe e fitove mbi të gjitha padrejtësitë, pabesitë e që jeta të rezervoi. Dje, të premten, po diskutonim sërish për ty në grupin tonë të gazetarëve. Mësuam se ishe në reanimacion, por të gjithë shpresonim dhe uronim të riktheheshe sa më parë mes nesh.
E sot, ky mëngjes na erdhi bashkë me ikjen tande. “Kolegë, Anila Dushi na la”, ishte lajmi i kobshëm, më i trishtë që bashkëndau një koleg i yni në këtë grup. “Kam besuar qe ne fillim se Covid 19 eshte nje lufte boterore. Kam degjuar mjaft nga ata qe e kane kaluar. Por qenka Tmerr. 🤲🤲🤲🤲🤲”, ke shkruar në rrjete sociale me 4 prill. Dhe më pas, beteja duket se u bë më e vështirë për të ardhur tek kjo e shtunë e zymtë.
Anilë! Një ditë, kjo murtajë që nuk dihet se nga na erdhi, do të largohet, siç janë larguar edhe të tjera para saj. Por ne do ta mbajmë mend gjatë, shumë gjatë. Murtajën me emrin Covid por edhe 10 prill 2021. Ditën kur ti nise udhëtimin në një botë tjetër, tek e cila sërish do të ri-takohemi të gjithë bashkë. Por ti ike përpara, shumë para kohe e duke lënë pas shumë trishtim.
Lamtumirë Anilë! Pushofsh në paqe afër të dashurve të zemrës tande që do ti ri-takosh në Parajsë! /Nga Blerti DELIJA/