Erion Veliaj tregoi në takimin publik me artistët e Teatrit Kombëtar, se ai ka talente të lindura ku e ku më të mëdha se ata që kanë performuar me dekada mbi atë skenë. Ai ishte sot në dëgjesë për të mashtruar dhe e bëri këtë më së miri. Ai u rrek të futej në rolin e atij që kishte në duar një projektligj që as as nuk i’a jep atë truall gjigant në mes të Tiranës kompanisë Fusha, që as nuk e shemb domosdoshmërisht godinën e vjetër italiane, që as nuk do të ndërtojë në vend të saj teatrin e kopjuar të arkitetktit danez Bjorke Ingels, që u “shpall fitues” pa garë dhe pa konkurs.
Jo, sot Veliaj bëri alter egon e mirë të një kryeministri të keq. Po ta dëgjoje me vëmendje dialogun e tij prej shejtan budallai, dukej sikur thoshte se nuk nuk ka asnjë nxitim për të marrë një vendim, se e rëndësishme ishte që të diskutohej, se ai kishte edhe shumë e shumë punë të tjera më parësore, se mirë do ishte të bëhej një teatëri i ri, por mund të mbetej në këmbë edhe ekzistuesi etj, manovra që kishin për qëllim të ulnim gjakrat.
Pra, po të dëgjoje të gjithë argumentat e kryebashkiakut të krijohej përshtypja se kjo është një çështje ende e pa vendosur, që Rama nuk e ka ndarë mendjen dhe se gjithçka që do të ndodhë më pas do të jetë fryt i një vendimarjeje të gjërë.
Në fakt nuk nuk është kështu. Sot nuk ka njeri që nuk e di që Edi Rama ka bërë llogaritë dhe planet e fitimit me kompaninë Fusha (të njëjtës që i dha dhe sheshin Skënderbej) së cilës po i jep një pasuri publike në mes të Tiranës. Gjithkush e ka dëgjuar me veshët e tij kryeministrin t’ia plasë troç aktorëve: “Ajo gërmadhë do të shembet”. Gjithësejcili e ka parë me sytë e tij Brojke Ingelsin që në krah të kryeministrit të na tregonte gjatë e gjërë se si do të ishte godina e re.
Po atëherë pse Veliaj mban një qëndrim të ndryshëm nga ai i kryeministrit?
Thjeshtë dhe vetëm se ky është roli i mashtruesit që i kanë caktuar.
Pas, daljes në publik të projektligjit që i jepte truallin një kompanie private dhe zemërimit të aktorëve që e pasoi atë, menjëherë në mjedis u shtuan thirrjet për ngujim brenda teatrit, për një grevë urie, për ngritjen e një çadre në vendin ku nesër mund të qëndronin grataçielat e Ramës. Pra, me shpejtësi, u shtua frika e precipitimit drejt një skenari alla kuksian, e vetmja gjuhë e arsyeshme të cilën arrijnë të dëgjojnë rilindasit.
Dhe menjëherë nga arrogant, pushteti vendosi të marrë kthesën e tolerantit. Për t’ia hedhur përkohësisht lumit, për të qetësuar gjakrat, për të shuar ethet e ndezura. Pikërisht për këtë u shpik alibia se ende nuk është vendosur asgjë.
Shpalljen e kësaj gënjeshtre u caktua ta merrte përsipër njeriu që di të bëjë më mirë. Natyrisht, me gëzimin e profesionistit të Fushës, ai e pranoi këtë. Prandaj në atë sallë, të mbushur me aktorë, Veliaj shkëlqeu këtë të enjte. Sepse ai aktroi në rolin e tij të preferuar, atë të mashtruesit. /Nga Andi BUSHATI, lapsi.al/