Po dërgonte paratë me çantë në bankë dhe bie në “pritën” e disa hajdutëve potencialë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e ditës së sotme në kryeqytet. Dy personat kanë mundur ti marrin rreth 60 mijë USD dhe më pas e kanë goditur punonjësin e pikës së këmbimit valutor. Deri në këto momente, nuk ka më shumë informacione për ngjarjen, por mesohet se një nga personat, është kapur në kushtet e flagrancës, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, punonjësi i “Exchange” është goditur me levë por edhe me thikë, pasi duket se ka bërë rezistencë. Megjithatë, hajdutët kanë arritur ti marrin sasinë e parave.
Thuajse në të njëjtën kohë, një pikë transferimi parash është grabitur mëngjesin e sotëm në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.10, rreth orës 09:00, ku mësohet se ka qenë një njeri i maskuar i cili nën kërcënimin e thikës dyshohet të ketë marrë rreth 2500 euro dhe një milion lekë të vjetra. Deri më tani nuk dihen detaje të tjera nga ngjarja, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të saj.