Sipas burimeve në Hipotekën e Shkodrës, prej disa kohësh përflitej largimi i kryeregjistruesit të Shkodrës Zamir Leka, arrestuar dje për korrupsion. Të njëjtat burime bënë të ditur se edhe shtetasja Frida Mirashi, edhe ajo e arrestuar, është motra e drejtoreshës së Patentave në Shkodër, Egla Mirashi.
Kjo e fundit, bashkë me drejtorin e Hipotekës Zamir Leka dhe disa drejtorë të tjerë rajonalë në Shkodër, kohët e fundit përfliteshin për t’u ndryshuar dhe zëvendësuar nga emra të tjerë.
Sipas burimeve, shtetasit Zamir Leka i është kërkuar dorëheqja pak ditë më parë si drejtor i Hipotekës në Shkodër, por ai nuk ka pranuar që ta japë duke vijuar detyrën, derisa përfundoi i arrestuar dhe i dyshuar për çështje korruptive.
Ndërkaq, nuk ka të dhëna për çfarë çështjeje bëhet fjalë konkretisht në lidhje me abuzimet dhe shpërdorimin e detyrës nga ana e zyrtarit dhe juristes së Hipotekës. Ata u prangosën në ambientet e punës dhe iu komunikuan edhe masat e sigurisë që kishte dhënë Gjykata më parë për ta. /PANORAMA/