Ndarja nga jeta e këshilltarit bashkiak të Shkodrës Mark Ndou, është përcjellë me dhimbje e hidhërim nga shumë persona që e kanë njohur. Edhe autoritetet vendore, kanë shprehur publikisht vlerësime për të ndjerin por edhe dhimbjen për humbjen e tij të parakohëshme. Në një postim në faqen e saj në Facebook, kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi shprehet:
“Me hidhërim mësova ndarjen nga jeta të këshlltarit bashkiak të Shkodrës zotni Mark Ndou. Gjithmonë ishte një njeri i dashtun. Ishte kërkues që punonte e donte më të mirën e komunitetit ku jetonte. U takuam pardje. Diskutonim për mundësitë e prioritetet për investime. Me siguronte mbështetjen për punët e mira që ne realizonim së bashku. Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe! Pushofsh në paqe Mark Ndou!”.
Ngushëllime kanë shprehur edhe mjaft kolegë të Mark Ndout në Inspektoriatit e Pyjeve që drejtonte por edhe këshilltarë bashkiakë. Ndërsa në faqen zyrtare në Facebook të Këshillit Bashkiak Shkodër, lexohet:
“Lajmi i hidhur për largimin e papritur nga jeta të Markut na tronditi të gjithëve. Fjalët mungojnë në të tilla raste, por Marku do të mbahet mend përherë si burri korrekt e qytetari shembullor që reflektonte mirësi në çdo marrëdhënie që ndërtonte. Anëtarët e Këshillit Bashkiak i gjenden pranë familjes Ndou në këta momente të vështira?”.
Prej 7 vitesh ishte në krye të Inspektoriatit të Pyjeve ndërsa është edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, nën siglën e Partisë Socialiste të Moderuar- PSM. ShkodraWeb Media i shpreh ngushëllime familjes, të afërmëve, kolegëve, miqve e të njohurve të Mark Ndou për këtë humbje të rëndë dhe të papritur.