8 orë në paraburgim dhe 5 milionë lekë të vjetra gjobë, për Fatos Mihalin, president i televizionit lokal “AVN”, në qytetin e Fierit, i cili akuzohet për ndërtim pa leje dhe prishje të territorit publik.
Por si qëndron e vërteta? Mihali në një intervistë për “FaxNews” është shprehur se ai e ka denoncuar disa herë problemin e tij, por është detyruar të ndërhyjë vetë pasi askush nuk i është përgjigjur.
Madje, Mihali shprehet se është ankuar edhe drejtpërdrejt tek kryebashkiaku Armando Subashi, por ky i fundit e konsideron Fatosin si një person me bindje të djathta.
Problemi konsiston në një pusetë të qytetit.
Fatos Mihali u shpreh:
“Në kushtet kur nuk kishte as një ndërhyrje nga ana e Bashkisë, i çova një letër dhe iu thashë që në rast se nuk do të reagonin, unë do ta kryeja vetë hapjen e pusetës. Isha drejt përfundimit kur erdhën persona nga policia dhe më shoqëruan.
Më kërkuan një leje dhe i thashë se nuk e kisha, pas 7-8 orësh u lashë i lirë. Akuzohesha për ndërtim pa leje dhe për prishje të territorit publik, gjë që asnjë prej tyre nuk qëndron. Unë do të përballem dhe në prokurori, pasi e di që jam në hallin tim dhe në problemin tim. Pavarësisht se çfarë ndodhi unë i kam nisur sërish një letër kreut të Bashkisë së Fierit.
Me mua janë treguar jashtëzakonisht arrogantë, nuk e di se çfarë ndodh me qytetarët e tjerë. Ka kohë që Subashi nuk më pret në zyrë, që prej kohës që ai është zgjedhur në krye të Bashkisë. Ai nuk ka shkelur kurrë në televizionin tim, pasi mund të më konsiderojë të djathtë. Por nuk mund të thuhet kjo për televizionin, kurrë nuk kam pasur ndihmë nga politika.
Nuk kam pse qëndroj më në atë qytet, sa kohë që jetojnë dhe fëmijët e mi jashtë vendit. Bizneset në Fier janë drejt mbylljes, ata që kanë mundësi ekonomike largohen, Fieri sot është kthyer në një fshat të vogël. Na duhet që të lajmë enët në banje, që ujërat të shkarkohen në kanalin e ujërave të zeza, nuk është mosha ime që të futem në burg për një pusetë. Gjoba që kam marrë është 5 milionë lekë.”/joq/