Ka përfunduar tashmë zyrtarisht numërimi i votave për kryetarët e 5 bashkive në Qarkun e Shkodrës. Janë zyrtarizuar kryebashkiakët që do të udhëheqin këto njësi të qeverisjes qendrore për 4 vitet në vijim.
Duket se pas zgjedhjeve të çuditshme të 2019- ës, është kryer balanca e vitit 2015- të, kur PS qeveriste 3 nga 5 bashkitë e qarkut. Nga ana tjetër, votuesit kanë ndëshkuar dy kryebashkiakë- Pukë dhe Fushë Arrëz, të cilët garonin për mandatin e tretë radhazi. Këto janë dy bashkitë e fituara nga “BF” në këtë qark.
Spikat fitorja e Benet Becit në Bashkinë e Shkodrës, prej 32 vitesh e qeverisur nga PD- ja dhe e djathta. Bastioni blu ndërroi dukshëm orientim politik, me rreth 11.500 vota epërsi të Becit ndaj kryebashkiakut aktual Bardh Spahia.
Surprizë mund të konsiderohet edhe fitorja e Bashkisë Vau Dejës nga Kristian Shkreli i PS- së. Zef Hila i “BF” la mandatin e deputetit për të garuar për këtë bashki, ndërsa u mund në garën e drejtëpërdrejtë në mazhoritar. Për Hilën, është humbja e parë nga viti 1991, kur ai u bë pjesë e politikës dhe garave për qeverisjen vendore.
Në Malësi të Madhe, u rikonfirmua për një mandat të tretë radhazi, i vetmi në këtë qark, Tonin Marinaj. Ai ia doli të fitojë edhe përballë një opozite të unifikuar, ku përveç “BF” u bashkua në fushatë edhe PD- ja zyrtare.