“Me thënë të drejtën, qesh edhe vetë kur i dëgjoj më vonë lapsuset e mia. Por, me kohën do mësohem”.
Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi e merr me sportivitet serinë e gafave që bën në daljet publike. Pak ditë më parë ajo kërkoi ndjesë për “diellin e tepruar”, javën e kaluar premtoi “zero taksa për taksat”, ndërsa kohë më parë tha se “babai i saj lotoi kur takoi prindërit e saj”.
Të gabosh është njerëzore, të falësh është hyjnore.
Është e natyrshme që njerëzit të vihen nën presion në daljet publike. Introvertët skuqen, ngatërrojnë mendimet e fjalët dhe belbëzojnë. Të sulmosh seriozisht Bora Muzhaqin për disa lapsuse në publik, është e padrejtë.
“Me kohën do mësohem”, shfajësohet Bora Muzhaqi. Me siguri do të ndodhë kështu.
Teorikisht ka të drejtë. Një ministër me kohën mund të mësojë të flasë në publik. Praktikisht, do duhej të ndodhte e kundërta, pra, që dikush të mësohej të fliste, më pas të bëhej ministër.
Por, gafat publike të Borës kanë nxjerrë “lakuriq” një filozofi politike dhe mënyrë qeverisjesje që kryeministri Edi Rama e ka kthyer në praktikë të zakonshme. Kjo praktikë përfshin promovimin e njerëzve në rangjet më të larta të shtetit, pa pasur formimin dhe eksperiencën e duhur për atë rang.
Javën e kaluar, kreu i qeverisë u detyrua të “shfajësohej” kur Blendi Fevziu i transmetoi pamje të ministres së tij Edona Bilali që e krahasonte Ramën me Zeusin.
Përtej gallatës, pyetjet serioze që lindin janë disa. A ka një sistem karriere brenda partisë në pushtet dhe në përfaqësimin politik në qeverisje? A ka një proces filtrimi dhe peshimi kontributesh apo çdo emërim është në varësi të humorit të ditës së kreut të qeverisë? A ekziston një proces konsultimi, krahasimi dhe konfirmimi kur emërohet dikush, diku?
Lindita Nikolla e thoshte me mburrje që, detyrën si kryetare Kuvendi e mori vesh vetëm kur Edi Rama lexoi në Asamblenë e PS-së listën me të emëruarit e rinj në postet drejtuese të shtetit. Asnjë proces dialogu paraprak, asnjë bisedë për të kuptuar nëse interesat politike dhe vizionet përputhen.
Meqë ra fjala, edhe në “Përputhen” ka një proces njohjeje reciproke për të kuptuar nëse rrugëtimi dashuror mund të bëhet së bashku apo jo.
Ndërsa piramida e shtetit sot funksionon ndryshe.
Karriera politike e dikujt nuk është pasojë e punës dhe kontributit profesional. Ndodh e kundërta. Karriera e dikujt mund të ndërpritet në mënyrë aq arbitrare, sa mund të promovohet një i panjohur, për të cilin duhet t’i drejtohesh “Google search”.
Askush nuk di ç’detyrë ka, deri ditën që Shefi i Madh i lexon emrat një nga një dhe u jep secilit nga një detyrë duke i trajtuar të gjithë si marioneta.
Por, edhe më i dituri ndër të ditur mund të gabojë.
Ndërkohë që shkruaj këto rradhë, më kujtohet miku i Edi Ramës, Baton Haxhiu i cili mori guximin t’i drejtojë një letër personale Ilir Metës në janar 2019, duke e nisur “Përshëndetje Ilir”.
Në këtë letër, Baton Haxhiu shkruante se kandidati për ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj ishte “pa diskutim më i ditur se kushdo në të njëjtën pozitë para tij!”
Vini re: Gent Cakaj ishte (pa diskutim) më i ditur se Besnik Mustafaj, Arta Dade, Paskal Milo, Muhamet Kapllani, Reiz Malile e kështu me rradhë. Më i ditur se Pandeli Vangjeli, Fan Noli, Iljaz Vrioni etj. Madje, më i ditur edhe se Ilir Meta vetë, i cili edhe ai si të sipërpërmendurit, ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë.
Sot, Gent Cakaj është histori.
Por, mentaliteti qeverisës me të cilin u emërua ai, vazhdon.
Në një vend normal, të bërit ministër presupozon kulmin e një karriere politike. Kjo karrierë presupozon një CV të pasur profesionale dhe zotërimin e artit të komunikimit publik. Tek ne ndodh e kundërta. Bëhen njëherë ministra dhe më pas kërkojnë të pasurojnë jetëshkrimin e të mësohen të flasin publikisht.
Qeverisja e Edi Ramës sot është një autoshkollë politike, ku të preferuarit nga ai “mësojnë dorën” ose në rastin konkret, gojën.
Sa ministra të qeverisë sheh sot në debatet televizive për çështje të ditës? Cili është fjalimi i fundit i një ministri që ka ngelur në mendje?
Sa ministra janë sot që kanë një identitet politik dhe karrierë të spikatur, që kanë një profil të qartë e të lartë përtej marrëdhënies personale me Edi Ramën?
Sa prej tyre, mendojnë me kokën e vet dhe zbatojnë në mënyrë krijuese programin e qeverisë në sektorin që drejtojnë?
Sot, gjithçka është në funksion të Njëshit. Qeveria identifikohet me vetëm Një njeri, të tjerët duhet të mbahen mend jo për idetë, por për gafat që bëjnë sa hapin gojën.
Sa ministra dalin sot në një debat të drejtpërdrejtë me analistë dhe ekspertë për çështje të caktuara? Pak ose aspak. I fundit mund të ketë qenë Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve.
Me gjasë, shumë ministra të tjerë nuk bëjnë gafa jo sepse nuk munden, por kanë aftësinë të mbyllin gojën më shumë se Bora Muzhaqi. /Gazeta Shqiptare/