Zbardhen propozimet e Partisë Demokratikë në tryezën e reformës zgjedhore sa i përket ndërhyrjeve në Kodin Zgjedhor. Disa prej ndryshimeve kanë të bëjnë me rolin e Policisë së Shtetit nën regjimin e qeverisë kujdestare për procesin e zgjedhjeve. Pra nuk flitet më për qeverinë në pushtet por për një qeveri kujdestare, një kërkesë e opozitës prej muajsh. Në draftin e siguruar, në nenin 5/1, pika 2 kërkohet që 100 ditë (njëqind) ditë përpara datës së zgjedhjeve, Ministri i Brendshëm në Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave të emërojë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
PD kërkon që të shihet mundësia që shkeljet zgjedhore të konsiderohen si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Sipas PD, skema e cila duhet të implementohet lidhur me rolin e policisë duhet te jetë totalisht e ndryshme nga situata aktuale.
“Në kushtet aktuale kur policia ‘është larguar’ në mënyrë distante nga përfshirja në procesin zgjedhor ka sjellë një fenomen të ri. Atë sipas të cilit policia është e përfshirë në procesin zgjedhor por jo si një fluks që pozicionohet si ruajtës i rendit apo edhe agjent i policisë gjyqësore për parandalim dhe procedim të kr.i.meve. Është pozicionuar si e përshirë në zgjedhje duke bërë vota për qeverinë. Një pozicionim që asnjëherë më parë nuk ka qenë i njohur për policinë as në situatat më ekstreme. Në këtë kuptim roli i saj duhet ridimensoinuar. Nga një pozicion antiligjor, okult, duhet nxjerrë në dukje veprimtaria e saj dhe duhet vendosur në pozicion monitorimi, duke mos e lejuar të abuzoje në këtë pozicionim të ri”, deklaron PD.
Sipas saj, skema është e thjeshtë, policia duhet të kthehet pranë Qendrave të Votimit dhe do ketë dy detyra. Së pari me ruajtjen e rendit në qendrat e votimit. “Kjo është një praktikë e stazhionuar me legjislacionin e mëparshëm. Policia, nuk futet në perimetrin e jashtëm të qendrave të votimit. Ajo mund të ndërhyjë vetëm ne rastet kur thirret nga komisioni i qendrës se votimit. Baza ligjore (e shfuqizuar) ka qenë mjaftueshmërisht e qartë dhe e testuar”, arsyeton PD.
Së dyti dhe ndoshta më e rëndësishme, shprehet PD, është që policia, të ngarkohet me funksionet e policisë gjyqësore.
“Një funksion që ajo në veprimtarinë e përditshme e ka, porse përgjatë periudhës zgjedhore (saktësisht ditët e zgjedhjeve) duhet ta ketë akoma më të fokusuar dhe të rregulluar në mënyrë akoma të detajuar. Funksioni i policisë gjyqësore është shumë i rëndësishëm, sepse ky rol i përforcuar i policisë, duhet të jetë i konkorduar së pari me komisionin e Qendrës së Votimit, e mbi të gjitha edhe me rolin e ri që do të duhet të ndërmarrë edhe prokuroria përgjatë procesit zgjedhor”, deklaron PD në relacionin shpjegues. PD thotë se e këshillueshme do të ishte qe roli i policisë në kryerjen e funksioneve të policisë gjyqësore, të artikulohej si veprimtari që kryhet përgjatë “gjendjes së flagrancës”.
Pra, PD kërkon të konkretizohet deri edhe me arrestime në flagrancë të shkelësve të veprave penale zgjedhore, duke shpjeguar se ka shume impakt pozitiv, arrestimi përgjatë fushatës i një individi që shpërndan para.
Po kështu kërkohet që zinxhiri KQV-polici- Prokurori, të funksionojë në gjendje alarmi përgjatë ditëve zgjedhore. Por ndërkohë, kërkohet që prania e policisë, në ambiente të tjera jo për qëllime të mbrojtjes së rendit zgjedhor, do të duhet të interpretohet si përfshirje e paligjshme në zgjedhje.
Po kështu thuhet se çdo informacion, kërkesë, ankesë, e subjekteve zgjedhore dhe zgjedhësve, të adresohet tek KQV dhe këtij të fundit duhet t’i njihen kompetenca edhe jashtë këtij territori. /BW/