Edhe pse injoroi publikisht vendimin e Qendrës Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve (ICSID) pro biznesmenit italian Francesco Becchetti, i cili fitoi të drejtën e dëmshpërblimit prej 108 milionë eurosh nga shteti shqiptar, kryeministri Edi Rama dhe qeveria duket se po veprojnë ndryshe nga deklaratat ndaj ish-pronarit të televizionit “Agon Channel”.
@Rrjeti Ballkanik i Raportimit Investigativ (BIRN) ka zbuluar se qeveria shqiptare ka lëvruar një fond prej 156 milionë eurosh për të dëmshpërblyer disa kompani të huaja që kanë fituar gjyqet në Arbitrazhin Ndërkombëtar ndaj Shqipërisë për çështje investimi dhe pronësie. Në artikullin e datës 7 prill, BIRN nënvizon se në listën e dëmshpërblimeve është dhe sipërmarrësi italian Becchetti, pa përcaktuar shifrën e dëmshpërblimit. Gjithashtu, nuk përmendet as se cilat janë këto kompani dhe biznese që do të kompensohen nga buxheti i shtetit tonë.
Por, ajo çfarë është tronditëse është fakti se kryeministri është dorëzuar para ICSID dhe përpjekja e tij si lider i pakompromistë dhe kundravënës ndaj biznesmenëve me investime kriminale, rezultoi një “tullumbace e shfryrë”. Edhe nëse ai do të mbajë premtimin për të nxjerrë Shqipërinë nga Arbitrazhi Ndërkombëtar i Bankës Botërore (ICSID), sërish nuk i shpëton dot detyrimit për të kompensuar Becchettin, pasi veprime të tilla mund të kryhen në rast se vendimi gjyqësor merret pas tërheqjes së një shteti nga ky institucion i mbrojtur me konventë të OKB.
BIRN: Qeveria do paguajë 156 milionë euro për gjyqet e humbura, bashkë me Becchettin.
“Becchetti ka dërguar disa padi kundër Shqipërisë në ICSID, shumica e të cilave u rrëzuan si të pabaza, përveç kësaj të fundit. Disa kompani të huaja kanë depozituar pretendime kundër shtetit shqiptar në Qendrën Ndërkombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve të Investimeve, me rezultate të përziera. Disa janë rrëzuar si të pabaza, por të tjera kanë çuar në dëmshpërblime të mëdha dhe të rënda. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka caktuar rreth 156 milionë euro për të kryer pagesat, duke përfshirë dhe një për Becchettin. ICSID është pjesë e Grupit të Bankës Botërore dhe u krijua në 1996 mbi bazën e Konventës së OKB për zgjidhjen e konflikteve të investimeve mes shteteve dhe disa personave (biznesmenë, sipërmarrës, investitorë, etj.) nga shtete të tjera. Konventa është ratifikuar nga 140 vende, duke përfshirë dhe Shqipërinë”, shkruhet në artikullin e BIRN, që mban datën 7 prill.
Rama “i padorëzuar” ndaj Becchettit në 7 prill: S’paguajmë asgjë, dalim nga Arbitrazhi
Në 7 prill, kryeministri Rama premtoi se Shqipëria nuk do të heqë dorë nga beteja ligjore me Francesco Beçhetin, i cili prej vitesh padit shtetin shqiptar për të përfituar kompensim për mbylljen arbitrare të “Agon Channel” në 2015. Rama nuk ka la pa sulmuar as ICSID, duke e konsideruar dëmshpërblimin 108 milionë euro në favor të biznesmenit italian si skandaloz. Ai premtoi se shteti shqiptar nuk do të paguajë asnjë kacidhe kompensim Becchettit. Shefi i mazhorancës nuk kurseu as mediat dhe opozitën, që prej vitesh kanë pretenduar se Shqipëria ka paguar “faturën” e shtrenjtë të luftës me Becchettin. “Ne do të hapim probleme të mëdha duke filluar nga java e ardhshme dhe nga e cila madje po analizojmë dhe mundësinë e daljes fare nga juridiksioni, sepse ajo që ka ndodhur është skandaloze. Por, ajo që ka rëndësi sot për ta dëgjuar publiku është se po këta njerëz i kanë thënë publikut para nja 2 vjetësh që Shqipëria i ka shpërndarë ato para. Këto 100 milionë euro nuk paskan ikur dhe ju po bëni pyetjen a janë bllokuar apo jo dhe që nuk janë fare në xhepin e atij mashtruesi. Sa i përket luftës me të, do ta bëjmë deri në fund dhe pa këtë soj të prishur shqiptarësh”, tha Rama para 3 ditësh.
Nëse Shqipëria del nga ICSID, prapë nuk i shpëton dot “faturës” së Becchettit
Që pas daljes nga traktati i ICSID në vitin 2018, Ekuadori ka qenë gjithmonë vendi me investimet e huaja më të ulëta ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ndër të gjitha vendet e Amerikës së Jugut. Në 10 vitet që pasuan, investimet e huaja në Ekuador nuk e arritën asnjëherë nivelin e periudhës para daljes nga ICSID. Së dyti, dalja nga traktati ndërkombëtar për mbrojtjen e investimeve, rrezikon investitorët e huaj në këtë “x” shtet. Më pak investime të huaja, kosto më të larta borxhi dhe një tjetër shqetësim, janë kufizimet që mund të vijnë në përdorimin e sistemeve globale të pagesave. Dalja nga ICSID ka fuqi vetëm për paditë që bëhen pas datës së daljes. Ato që janë bërë më parë, vazhdojnë shqyrtohen. Ligji nuk fuqi prapavepruese. Kështu që me Becchettin tani beteja zhvendoset në Belgjikë. Aty ku milionat e Albcontrol, qëndrojnë të bllokuara prej 2 vite e gjysmë. Shtetit shqiptar rrezikohet t’i bllokohen të gjitha pasuritë kombëtare që nuk kanë garanci nga konventat diplomatike.