Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka nisur letër-propozimin zyrtar kompanisë koncesionare Albania Highway Concession që menaxhon mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë për amendimin e disa neneve, ku një nga çështjet kryesore është ajo e tarifës që do të paguajnë banorët e zonës.
Burime konfidenciale për Televizionin Klan thonë se pas bisedimeve me banorët në Kukës, Has dhe Tropojë i është propozuar koncesionarit që tarifa që ata do të paguajnë për një kalim, në sheshin e pagesës të jetë 200 lekë të reja, apo 1.5 euro. Nëse merret në total, një kalim vajtje-ardhje për kategoritë e personave që banojnë përgjatë rrugës, pas amendimit të kontratës dhe rivendosjes së traut të kalimit, pagesa do të jetë 3 euro, nga 10 që ishte më parë.
Në total janë 8 mijë makina të regjistruara në këtë zonë, ndërsa burimet sqarojnë se ata të cilët janë banorë të këtyre zonave, por kanë automjetin të regjistruar në një vend tjetër, nuk do të jenë përfitues.
Sipas fotografimeve të bëra, numri mesatar i makinave të banorëve që kalojnë në ditë është 350 për një kah të rrugës dhe po aq anasjelltas.
Kostot që do të lindin nga ky lehtësim arrijnë në afro 900 mijë euro dhe qeveria pret që e gjitha shuma të përballohet nga kompania koncesionare.
Transporti urban do të përjashtohet nga të gjitha tarifat e rrugës, ku mbulimi i kostove për këtë kategori do të jepet në formë subvencioni me shumën 120 mijë euro, që është përcaktuar në kontratë për politika sociale. Grupi i punës është duke hartuar edhe termat pullat e përhershme që do të ngjiten në makina, të cilat do të blihen me çmime të reduktuara nga përdoruesit e shpeshtë të rrugës. /tvklan.al/