Sulmi i hakerave ndaj sistemeve kompjuterike të qeverisë gjermane është shumë më masiv se sa mendohej. Sipas shërbimit të kontrollit të Bundestagut, ende nuk është arritur që ai të bllokohet përfundimisht.
Sipas instancës së shërbimit të kontrollit të Bundestagut, sulmi i hakerave ndaj sistemeve kompjuterike të federatës vazhdon ende. Armin Schuster, CDU, kreu i komisionit u shpreh se bëhet fjalë për një sulm në vazhdim, „prandaj diskutimet publike për detajet janë thjesht sinjale ndaj hakerave që ne nuk duam t’i dërgojmë. Ende është shumë herët të vlerësohet dëmi i bërë”, tha Schuster. Por ai theksoi, se „zbulimi i sekretit është një dëm në vetvete.”
Kritika nga Të Gjelbrit dhe E Majta për politikën e informacionit të qeverisë
Deputeti i Gjelbër Konstantin von Notz (Grüne), u shpreh se ka arsye pse federata i „ka mbajtur të bllokuara” informacione të caktuara. Por është e papranueshme, që shërbimi i kontrollit të Bundestagut të informohet nga mediat mbi atë që po ndodh. Ndërsa Andre Hahn që përfaqëson të Majtën në këtë komision është shprehur se ka përshtypjen që qeveria e autoritetet e sigurisë po përpiqen të zvogëlojnë rëndësinë e problemit. „Kam frikë, se në javët e ardhshme do të dalin gjëra të tjera në dritë”, tha ai.
Hetimet gjermane bëjnë fjalë për një sulm tipik hakerash që kanë tentuar të vënë nën kontroll sistemet kompjuterike të federatës. Madje është folur për sulme të grupit të njohur rus të hakerave, APT28 – kërcënim i vazhdueshëm i përparuar. Por ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries bëri të ditur se nuk është sqaruar lidhja me hakerat rusë.
Nuk ka të dhëna deri tani për një pjesëmarrje ruse. „Sigurisht, nëse kjo ka ndonjë lidhje me qeverinë, do të ketë pasoja, është e qartë. Por nuk mund të themi tani asgjë”, tha Zypries. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Thomas de Maizière, CDU bëhet fjalë për një „sulm të sofistikuar teknik dhe të planifikuar për një kohë të gjatë.” Sipas politikanit të CDU-së, Gjermania ka „një një ndër sistemet më të sigurta të botës.”