Bashkia e Shkodrës merr në pronësi të plotë një tjetër aset mjaft të rëndësishëm. Bëhet fjalë pēr një shoqëri aksionare “Tregu i shitjes me shumicë fruta- perime Shkodër”, në zonën e Dobraçit.
Vendimi është marrë sot në mbledhjen e qeverisë, ku kanë kaluar në favor të Bashkisë Shkodër 67,21% e aksioneve te shoqërisë aksionare, ndërsa tashmë është pronare 100% e aksioneve. Administrata Beci merr në administrim të plotë një aset me mjaft vlera që mund të zhvillohet e zgjerohet në sherbim të komunitetit. Më poshtë vendimi i qeverisë.
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E PRONËSISË SË 67.21 % TË AKSIONEVE TË SHOQËRISË “TREGU I SHITJES ME SHUMICË FRUTA-PERIME”, SH.A., SHKODËR, NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË TE BASHKIA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të paragrafit të tretë, të nenit 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin e pronësisë së 67.21 % të aksioneve të shoqërisë “Tregu i shitjes me shumicë fruta-perime”, sh.a, Shkodër, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë te Bashkia Shkodër, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA