Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është rënë dakord për nisjen e një reforme në sistemin e furnizimit me ujë, si dhe në trajtimin e ujërave të zeza.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku tha se do të ketë një ulje të konsiderueshme të drejtorive të ujësjellësave, nga 61 që është aktualisht në 15.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është dhe menaxhimi i këtyre ndërmarrjeve, ku ministria që ajo drejton do të jetë dhe aksionerja kryesore.
Sipas Ballukut kjo reformë bëhet për të rritur mirëmenaxhimin e ujësjellësave, të cilët kanë mjaft detyrime të prapambetura, teksa kanë qenë në dorë të pushtetit lokal.
“Projektvendimi më i rëndësishëm që kemi pasur sot, është trajtimi i ujërave, kërkojmë një reformë të re në ujësjellësat, ku vetëm një pjesë e tyre kanë performuar në parametrat që ne duam.
AKUM ka bërë një propozim për Ujësjellësat, nga 61 ujësjellës do të kalojmë 15 ujësjellës qendror, mirëmenaxhim i financave, menaxhim i burimeve ujore. Ministria do të jetë aksionieri kryesor i secilës prej 15 ndërmarrjeve, për një menaxhim më të mirë.
Mbi të gjithë për të vënë në jetë të gjitha politikat, është një hap i ri, do të nisë reforma menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare”, tha ajo.
Ujësjellësat ishin ndërmarrje që kaluan rreth 20 vite më parë nën administrimin e pushtetit vendor në kuadrin e decentralizimit, por duket se Edi Rama ka rikthyer skemën e centralizimit, duke kthyer ministrinë e drejtuar nga Belinda Balluku në një super-dikaster.