Ka zgjatur vetëm pak muaj fitorja e avokatëve ndaj qeverisë në Gjykatën e Lartë për të mos paguar TVSH nga zero. Përmes disa ndryshimeve ligjore, qeveria i ka zënë ata tashmë “shah-mat” dhe nga 1 prilli ata do të duhet të paguajnë TVSH nga zero, së bashku me kategoritë e tjera të profesioneve të lira.
Burime pranë Ministrisë së Financave thanë se pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar tashmë po diskutohen edhe aktet nënligjore plotësuese për mënyrën sesi do të zbatohet. Kjo i mbyll rrugën përfundimisht edhe kategorive të tjera të profesioneve të lira që të ankohen në Gjykatë dhe të kërkojnë që kufiri i tyre i TVSH të jetë jo zero, por njësoj si për bizneset e tjera ( aktualisht 5 mln lekë dhe nga 1 prilli 2 mln lekë).
Në riformulimin që po i bëhet dispozitave zbatuese të ligjit të TVSH-së dhe që hyn në fuqi në 1 prill, përcaktohet se Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero.
TVSH-ja tek profesionet e lira është shoqëruar vazhdimisht me konfuzion për shkak se një prej 17 grupeve, konkretisht avokatët ja dolën që të rrëzonin në Gjykatën e Lartë vendimin e qeverisë që i fuste në skemë nga qarkullimi zero. Bëhet fjalë për vendimin e datës 29 dhjetor 2014, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 ‘Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë’” të ndryshuar.
Në këtë vendim , në nenin 11 bëhen dy përcaktime, së pari që kufiri minimal i regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar është qarkullimi prej 5 milionë lekësh në vit, përveç rasteve që përcaktoheshin në pikën 2 të nenit. Pikërisht kjo pikë përcaktonte një listë me të paktën 18 kategori që TVSH-ja u fillon nga zero pavarësisht xhiros.
Në fund të 2017, në vendimin 953, qeveria e uli kufirin minimal për regjistrimin në TVSH nga 5 në 2 milionë lekë, duke filluar nga 1 prilli, ndërkohë që nga lista e profesioneve të lira që deklarojnë nga zero përjashtohet grupi i atyre që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë. Kjo kategori tashmë do të trajtohet në mënyrë të diferencuar, ndërkohë që profesionet e lira të tjera do të vazhdojnë të jenë pjesë e TVSH-së nga zero.
Kjo do të thotë që deri më 1 prill 2018 avokatët janë të përjashtuar nga detyrimi për të qenë në TVSH nga qarkullimi zero. Pas kësaj date ata do të trajtohen njëlloj si gjithë profesionet e tjera të lira duke deklaruar nga qarkullimi zero. Ky vendim është një “suprizë” për avokatet, të cilët prisnin që nga prilli të paguanin TVSH kur kishin xhiro mbi 2 milionë lekë.
Qeveria ka ezauruar edhe mundësinë që profesionet e lira të çojnë sërish ligjin në Gjykatën e Lartë duke korrigjuar gabimin e bërë më herët që u dha fitoren avokatëve. Në vendimin e Gjykatës thuhej se Këshilli i Ministrave nuk ka tagrin ligjor për të të përcaktuar kategoritë që përjashtohen apo futen në TVSH, por vetëm përcaktimin e kufirit minimal.
Në ndryshimet që u miratuan në fund të vitit 2017 në ligjin “Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” pika 2 e nenit 117, , u riformulua duke i lënë atributet e përcaktimit të kategorive dhe kufirit Këshillit të Ministrave.
“Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në, rastet e përjashtimit apo kufiri minimal i regjistrimit për kategori të veçanta, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në ligj. Kufiri minimal per TVSH-ne është 2 milionë lekë por nuk vlen për këto profesione që janë automatikisht të përjashtuar me pikë të veçantë. /Monitor/