Ka disa ditë që ka nisur të jehojë një zë i ri, muzikë por edhe informacion. Është radio “Zani Veriut”, media më e re që i shtohet larmishmërisë së mediave tradicionale dhe atyre online në Qarkun e Shkodrës. Nisma nuk mund të ishte e askujt tjetër, përveçse e kolegut tonë të mirënjohur, gazetarit Rifat Ymeri.
Eksperienca e gjatë në media, dëshira dhe pasioni që nuk iu shuan kurrë, patjetër që do të sillnin një risi në Malësinë e Madhe por edhe më gjërë. Janë vetëm hapat e parë por sigurisht, emri i Rifat Ymerit është një garanci e rëndësishme në start. Malësia e Madhe, ka natyrisht edhe gazetarë të tjerë, që mbase është momenti ti bashkohen, ta mbështesin këtë nismë të veçantë të Ymerit.
Ardhja “në jetë” apo krijimi i çdo media, është një lajm i mirë. Është një zë më shumë për informim por edhe argëtim për të cilin kemi shumë nevojë në këto kohë por edhe tribunë për lirinë e shprehjes e mendimin alternativ. E dimë më mirë se askush, se kjo iniciativë ka nevojë për mbështetje, duke nisur nga kolegët tanë, bisnesi por edhe pushteti vendor. Ku ka më bukur se sa “Zani Veriut” të jehohë nga kreshnikja Malësi e Madhe?! A mund të ketë krenari më të madhe?
Duke i uruar shumë suksese “Zanit Veriut”, kolegut Rifat Ymeri, ju kujtojmë se transmetimet e kësaj radio mund ti ndiqni online, direkt nga telefoni juaj, duke hyrë në adresën www.zaniveriut.com. Rrugëtim të mbarë “Zani Veriut”! /ShkodraWeb Media/