E përsëriti edhe sonte se qëllimi i opozitës është pengojë çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. E tha me gojën e tij, para një kamere në një shtëpi gjirokastrite Edi Rama, kryeministër i vendit. Natyrisht, në përgjigje të pyetjeve pse opozita po sulmon Ramën.
Deri këtu në rregull. E ka përsëritur mjaft shpesh këto kohë dhe mbase mund të ketë ngjizur diku si “provë”. Sepse qeveria është shumë e interesuar ta inkasojë si sukses çeljen e negociatave. Kjo deri sonte, sepse Edi Rama duket se do të ndryshojë qëndrim.
Ndoshta lidhet me ndonjë sondazh të fshehtë që kryeministri i ka shumë qejf dhe që po i tregon se akuzat e opozitës ngjizin, mbase të shoqëruara me rezultate pikësh në prag të zgjedhjeve të vitit që vjen. Por sonte Edi Rama hodhi akuza të ashpra për opozitën, duke e akuzuar për implikim të drejtuesve të lartë të saj as më pak e as më shumë, por në trafik droge. E jo marijuanë, kanabis apo hashash si quhen rëndom, por për 613 kg heroinë të kapura në Durrës. Kështu e ka justifikuar shefi i ekzekutivit acarimin e ditëve të fundit të opozitës kundër Xhafës e qeverisë Rama.
Pra, pasi Basha po hedh “llum e baltë” mbi qeverinë për të penguar çeljen e negociatave me BE, Rama po bën të njëjtën gjë për me një synim tjetër…të pengojë hapjen e negociatave edhe ai! Sepse BE nuk mund të ketë dy perceptime për të njëjtën klasë politike, sepse dje dhe nesër do të qeverisë PD ashtu siç pardje dhe sot po qeveris PS. Brukseli nuk mund të kërkojë vetëm një klasë politikenë qeveri të kulluar, por edhe një opozitë që nesër mund të vijë në pushtet siç është e natyrshme.
Tani si i bëhet? Opozita nxin mazhorancën për të penguar çeljen e negociatave me BE, thotë qeveria. Sot kjo e fundit, me gojën e kryeministrit akuzon opozitën për përfshirje në trafik kokaine që normalisht janë akuza që nuk çojnë në përshpejtim të çeljes së negociatave për Shqipërinë.
Këtë vend e ka marrë lumi, për të mos thnë dreqi! Askush nuk e do më intergimin! As opozita dhe nga sot, as mazhoranca. Sipas gjasave palët e dinë përgjigjen e Brukselit në qershor kështu që, vazhdojmë avazin për përfitime brenda 28 mijë kilometrave katrorë. Kush ta hajë, ta hajë nga shqiptarët. Për çeljen e negociatave, kismet…ne hyjmë e dalim pa problem në BE, vetëm me një vulë në kufi. Meqë Rama e ka djalin më të madh në moshë, urojmë të ketë planifikuar futjen në BE pa u bërë gjysh djali i Gregorit!
Ndërkohë ne shqiptarët po vazhdojmë ta hamë sapunin për djathë dhe pa thojza fare! Na bëftë mirë! /Shënim i ShkodraWeb/