Nga Blerti Delija
Askush nuk e priste që Rama të ftonte Bashën në një tryezë, duke nisur nga zgjedhja e Prokurorit te ri por edhe për reformat integruese. Ftesa aerdhi pasi që Rama e Basha udhëtuan drejt Brukselit, natyrisht me agjenda të ndryshme. U aludua edhe për mundësinë e një takimi mes tyre, por tanimë gjithçka është e qartë…
Nga një “misionar” në politikë, Rama është kthyer në një “lojtar” në skakierën politike shqiptare. Është e kuptueshme se ai po zbavitet mjaft. Sidomos pas natës se 18 majit, kur vetëm për vetëm me Bashën u ngujuan dhe sollën “18 majin”, Rama po udheheq lojën politike.
Në seancën e fundit në Kuvend, kryeministri e tha haptas: Nëse nuk ka vazhdim te “18 majit” kreu i KQZ-së do të jetë “dëshmori i parë i saj”. Menjëherë erdhi udhëtimi i Ramës e Bashës drejt kryeqytetit te BE-së. Në kthim, kur ishte e qartë se nuk kishte ndonjë sukses të madh lidhur me integrimin e vendit në BE, Rama publikon “ftesën e madhe” për Bashen: Të nisim me bashkëzgjedhjen e prokurorit të ri e të vazhdojmë me reformat e tjera në shërbim të integrimit të vendit.
Në një sistem demokratik, opozita ka pjesën e vet të pushtetit. Natyrisht e kamufluar dhe e “përfituar” në emër të pavarësisë së institucioneve. Prokurori Llalla por edhe kreu i KQZ-së Zguri nuk janë njerëz të Lulzim Bashës në krye të institucioneve. I pari ishte “prodhim” i Berisha- Meta, ndërsa i dyti “prodhim” i Berishës në emër të “mirëkuptimit” me aleatët e djathtë. Në konfigurimin aktual të sistemit në Shqipëri, janë pozicione mjaft të rëndesishme.
Ftesa e Ramës për Bashën mund të “përkthehet” thjeshtë: Hajde merre Kyeprokurorin! Natyrisht, me miratimin e Ramës. Hajde merre edhe kreun e KQZ-së, sigurisht me dëshirën e Ramës. Po në këmbim çfarë mund t’i kërkojë Rama- Bashës? E para, të paraqiten si një “trup i vetëm” para BE-së. E dyta, ta ndihmojë për “bërjen kurban” të disa peshqve të mëdhenj në politikën e lartë. E treta, ta lërë të qetë deri në fund të mandatit dhe pas rreth 3 viteve e gjysmë të futen në garë për karriken e kryeministrit të vendit.
Të gjitha sa më sipër ngjasojnë sikur i kemi dëgjuar apo thënë edhe më herët. Sikur papritur është riaktivizuar marrëveshje e 18 majit 2017. E cila në fakt, duket se nuk ka qënë asnjëherë pasive. Thjeshtë është pezulluar sa për ti krijuar iluzionin e një “beteje të ashpër” politike Rama- Basha. Fillimisht për te konsoliduar pozicionin e tij brenda PD-së por edhe që “populli opozitar” ta vlerësojë “timonierin” e opozitës si “qendrestar”, “denoncues të qeverisjes” etj.
Daljet e Bashës në zonat e përmbytura, bashkë me vetëpërmbajtjen e tij ndaj qeverisë, publikimi i fotove të tij nga Rama ne rrjete sociale, i paraprinë riaktivizimit të marrëveshjes së 18 majit. Por nëse Rama është “vetë Zot, vetë shkop” ne PS, Basha akoma nuk e ka këtë pushtet në PD. Edhe përgjigja pohuese ose refuzuese ndaj propozimit të Ramës nuk do të jetë e lehtë. Së pari, Basha duhet të bëjë lllogaritë me të vetët, sidomos me Berishën. Se dyti dhe që është shumë e rëndesishme, gjithherë nga 18 maji e këtej, Rama ka dalë i fituar ndaj Bashës kur kanë bërë “paqtim” politik. Basha vijon të jetë “nxënes” në politikë e sidomod kur vepron në “kokë të vet”, gjithmonë humbet përballë Rames.