Sot janë tre shtete në botë, të cilët mbrojtjen amerikane e kanë domosdoshmëri të ekzistencës së tyre; këta janë: Shqipëria, Izraeli dhe Kosova.
Në funksion të kësaj, përpara shqiptarëve ngrihet kjo pyetje:
A ka mundësi sot të pranohet nga shqiptarët një kryeministër i papranueshëm nga politika amerikane?
Një kryeministër i tillë në Shqipëri sot nuk mund të jetë kryeministër as katër orë, sepse konsiderohet që është kundër interesit kombëtar shqiptar.
l.
Nëse e shohim me një optikë historike dhe me një analizë faktike dhe racionale, arrijmë në konkluzionin se siguria e Shqipërisë sot është e mbajtur nga faktori perëndimor, por është e kërcënuar nga faktori politik i korruptuar që qeveris në Tiranë.
E gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor është e rrezikuar nga fqinjët agresivë dhe nga Rusia, dhe siguria shqiptare sot është e mbështetur tërësisht te mbrojtja amerikane, kurse shenjat janë që kryeministri aktual shqiptar është i papranueshëm nga politika amerikane.
Atëherë ç’pret ky kaqol, pse nuk e jep dorëheqjen?
Po politika e lartë socialiste çfarë pret, pse nuk e largon një kryeministër të tillë?
Të gjitha këto janë domosdoshmëri politike për qeverisjen shqiptare. Një situatë si kjo e sotmja është historike për shqipërinë dhe për të gjithë botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, sepse është rasti i parë historik kur po kërkohet që me një reformë adeguate të vendoset moraliteti në Shqipëri.
Por kuptohet që konflikti midis Edi Ramës dhe politikës amerikane ka ardhur si pasojë e faktit që kryeministri shqiptar është kundër Reformës në Drejtësi në një kohë që kjo reformë është strukturuar për të vendosur në Shqipëri drejtësinë dhe moralitetin e qeverisjes. E pra, janë të shumtë këta të korruptuar që po të vendoset moraliteti në qeverisjen shqiptare, eliminohen nga politika. Dhe prandaj janë bashkuar kundër Reformës. Por dita ditës po kuptohet që i gjithë veprimi i tyre kundërreformë është dëshpërim.
ll.
Shteti shqiptar ka njëqind vjet që drejtohet nga amoraliteti dhe dhuna e grabitja që vetë qeveritë shqiptate iu kanë bërë shqiptarëve. Por gjithmonë një situatë amorale në qeverisjen shqiptare ka pasur një mbështetje e cila i ka ardhur në ndihmë kësaj lloj qeverisjeje. Dhe kjo ka qenë ndihma e pistë e fqinjëve që janë pushtues të më shumë se dy të tetave të territorit real shqiptar.
Të gjithë këta pushtues, por sidomos qeveritë serbe, krijuan skemën e blerjes së krerëve që do të qeverisnin Shqipërinë. Dhe ia arritën që me këtë skemë të mbanin një Shqipëri të dobët, të varfër dhe pa aleanca të fuqishme me Perëndimin, sepse kanë qenë kryeministrat shqiptarë, të ardhur në pushtet prej tyre që kanë bllokuar zhvillimin shqiptar për interesat e tyre. E gjithë kjo politikë në thelb ka qenë në mbrojtjen e amoralitetit dhe korrupsionit të qeverive shqiptare. Dhe kjo histori vijoi edhe në këta 27 vjetët e paspërmbysjes së komunizmit në Shqipëri. Politika shqiptare e pas komunizmit shqiptar, që filloi në vitin 1992 dhe ka ardhur deri sot te Edi Rama, ka rënë në një esadizëm të kulluar. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa këta janë të korruptuarit e mëdhenj të Shqipërisë që për interesat e tyre materiale dhe të pushtetit shkelin mbi këto dhe për çdo interes kombëtar.
lll.
Por, çfarë është esadizmi?
Esadizmi është një turp historik i shqiptarëve i cili në Europë nuk i ka ndodhur asnjë kombi apo një populli tjetër. Esadizmi është doktrina makabër e orientalizmit shqiptar, që, duke shitur interesin kombëtar te fqinjët pushtues territoresh, të krijonte një shtet neoosman shqiptar, ku Esat Toptani të jetonte me paratë e ardhura nga Beogradi dhe nga grabitja e shqiptarëve gjithë po sipas psikologjisë së pashait apo pashallëkut turk. Kurse Greqia dhe Serbia të ndanin Jugun dhe Veriun e Shqipërisë. Ndihma e Beogradit në këtë histori orientale shqiptare “ka qenë e pakursyer”. Ajo e ka këtë edhe sot një filozofi veprimi në Shqipëri: paguan hoxhallarë, hajdutë dhe çfardo lloj të korruptuari të rangjeve të larta politike, kundër zhvillimit shqiptar. Por burrat e mëdhenj të shtetit shqiptar, në vitin 1920 e shkallmuan esadizmin dhe shpëtuan Shqipërinë në Kongresin e Lushnjës. Esadizmi, edhe pse u shkatërrua, ai nuk vdiq, sepse në vitin 1924, esadizmi triumfoi sërish në Shqipëri me anë të Ahmet Zogut.
Dhe kjo doktrinë politike e shitjes së interesit kombëtar sipas motivit esadist drejt Beogradit dhe pushtuesve të territoreve shqiptare, po vijon ende. Politika e vitit 1992-1997 në funksion të Beogradit e çoi Shqipërinë dy herë në buzë të varrit: pasi e shkatërroi ekonomikisht në vitet 1992-1996, ajo kërkoi ta shpërbënte në vitin 1997. Por pikërisht këtu ndërhyri me forcë politika amerikane dhe e shpëtoi edhe Shqipërinë por edhe vetë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor, sepse dy vjet më vonë, në vitin1999, ndihma amerikane, pasi i shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga shfarosja milosheviçiane, krijoi me forcën e armëve edhe shtetin e pavarur të Kosovës.
Që nga kjo kohë, Shqipëria në nëntëmbëdhjetë vjet është nën mbrojtjen amerikane, ka hyrë si anëtare e NATO-s por edhe në luftë me esadizmin shqiptar, i cili e vijoi jetën e vet në Shqipëri edhe pas vdekjes së Sllovodan Milosheviçit. Sot esadizmi shqiptar si orientalizëm neoosman dhe si forcë antiamerikane po drejtohet nga Berisha – Rama. Është orientalizëm i kulluar që drejtohet nga mediokriteti Rama që mendon të mundë Uashingtonin me Stambollin. Dhe Saliu pret. Kurse Uashingtoni po godet Ramën përditë me anë të Zërit të Amerikës për lidhjet e tij me diktatorin e Stambollit. Dhe ky është fakt tani që po dëgjohet përditë nga shqiptarët, të cilët e kanë dëgjuar nga Zëri i Amerikës, dhe do të vijojnë ta dëgjojnë.
Po ky Rama, pse nuk jep dorëheqjen?
lV
Kryeministri Edi Rama është në prag të ndëshkimit të tij për korrupsion.
Është implikuar dhe tani, i bashkuar me Berishën dhe Metën, po kërkojnë të shkatërrojnë Shqipërinë dhe çështjen shqiptare për të shpëtuar veten me politikë esadiste.
Po a ka mundësi të ndodhë kjo?
A ka mundësi që politika amerikane e angazhuar kundër politikës orientale në Shqipëri t’i lërë këta të livadhisin kundër interesit amerikano-shqiptar në Ballkanin Perëndimor?
Nuk e kanë kuptuar dot ende këta që ndëshkimi dhe eliminimi i korrupsionit në Shqipëri është një moment historik i pakthyeshëm. Kurse Edi Rama dhe Sali Berisha ende nuk janë në gjendje të kuptojnë që politika amerikane, nëse do ta vijojnë ende reaksionin e tyre, do të hapë letrat kundër tyre përpara shqiptarëve. Reforma në Drejtësi është çështje e mbyllur, koha është tani krejt e pamëshirshme kundër korrupsionit shqiptar. Mjerë ai që ka futur duart te paratë dhe pronat e shqiptarëve! /Marrë nga profili në Facebook i Spartak Ngjela/