Pasi mazhoranca siguroi votat e nevojshme për të kaluar Kodin Zgjedhor për miratim në seancë plenare të Kuvendit, ka reaguar edhe kryetarja e LSI- së, Monika Kryemadhi. Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI- së, Kryemadhi paralajmëroi kryeministrin Rama se do të përfundojë në burg, duke u bërë bashkëpunëtor me kolegët e tij.
Sipas Kryemadhit, Rama ka frikë nga populli, madje ajo tha se sot ai tregoi se nuk ndahet dot nga bandat dhe krimi.
“Frikacaku tregoi edhe njëherë që ka frikë nga populli i tij, tregoi që ka frikë nga partia e tij dhe mbi të gjitha nga vota e lirë e shqiptarëve. Ai jo vetëm, nuk hapi listat, por i bunkerizoi njëherë e përgjithmonë dhe për të distancuar Shqipërinë nga BE. Ai tregoi frikën që ka nga partnerët europian, që ndjekin hapat e tij kriminale.
Rilindja ngatërron llucën me Lucën. Sot Edi Rama tregoi që ka frikë dhe që nuk mund të ndahet nga bandat. Rama është armiku i qytetarëve. Rama sot është armiku i naftëtarëve të Ballshit.
Rama sot është armiku i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë.
Rama është armik i mësuesve. Është armiku i të rinjve shqiptarëve që taksat e parave të tyre i ka kthyer në xhepat e tij për të favorizuar shpk e radhës.
6 muaj nuk i mjaftojnë për të pastruar pisllëqet. Janë 6 muajt e fundit të cilat kufomës politik do ti dalin në ëndërr. Më kot lodhësh, era e qelbur që të rrethon ty nuk mund ta mbulojnë as parfumet më të shtrenjta.
Ti zotëri e ke vendin tek bashkëpunëtorët e tu. Aty ku i ke çuar bashkëpunëtorët e tu dhe siç ndodh rëndom do të jesh kolegu i qelisë së tyre”, mbylli deklaratën Kryemadhi.