Ambasada ruse në Tiranë nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale i është drejtuar qeverisë shqiptare duke thënë se Rusia është e gatshme që të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” në vendin tonë. Negociatat sipas ambasadës ruse zhvillohen me fondin Rus të Investimeve Direkte.
“Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik-V” edhe në Shqipëri”, thuhej në postimin që i drejtohej drejtorit të komunikimit në kryeministri, Endri Fuga.
Më tej, ambasada ruse sqaron se vaksinimi me “Sputnik-V” ka nisur edhe në Rusi e Argjentinë, ndërkohë që janë më shumë se 50 vende që kanë aplikuar për të blerë 1.2 miliard doza të vaksinës.
Ndër të tjera, ambasada ka sjellë disa informacione ku thotë se vaksina “Sputnik-V” është e para e regjistruar në botë dhe efikasiteti i saj arrin në 91.4%. Kostoja për dozë për këtë vaksinë është më pak se 10 Dollarë sipas ambasadës ruse.