Ngjarja e 2 prill 1991 është një nga më tragjiket në fillimet e lëvizjeve demokratike në Shqipëri. 4 bij të Shkodrës u vranë në mes të sheshit, pa asnjë faj dhe përfshirje në asnjë ngjarje të dhunshme.
Edhe sot, pas mëse 31 vitesh, kjo ngjarje është e mbështjellë nga misteri. Ka patur një gjyq, disa zyrtarë të policisë së asaj kohe janë dënuar por sot janë të lirë jashtë vendit ose kanë ndërruar jetë për shkak të moshës apo sëmundjeve.
Mister mbetet kush dha urdhrin që forcat e policisë, ato speciale apo të ushtrisë, të shtinin me armë drejt njerëzve në shesh. Mbrëmjen e kaluar, në opinion ka ardhur një pohim, i thënë për herë të parë nga një ish- zyrtar i lartë i nomenklaturës komuniste.
Qemal Lame, ish- kryetar i Hetuesisë në 10 vitet e fundit të sistemit komunist, i ftuar në emisionin “Opinion”, ka bërë deklaratën e bujshme. “Urdhrin për të qëlluar protestuesit në shesh, në Shkodër, me 2 prill 1991, e ka dhënë Ramiz Alia”, ka pohuar ai.
Pa paraqitur ndonjë provë, fakt apo indicie, ai ka thënë se këtë përceptim e ka krijuar në një vizitë pune në Shkodër menjëherë pas ngjarjes por edhe në ngurrimin e aparatit të KQ të PPSH- së së kohës për t’ iu përgjigjur Hetuesisë për vënien në dispozicion të disa dokumenteve- komunikime, të Alisë me drejtues të shtetit, policisë apo strukturave të tjera të shtetit.
Deklarata e Lames duhet marrë me rezerva, aq më shumë kur tashmë Ramiz Alia nuk jeton më dhe është mjaft e vështirë të sigurohen dokumente që e provojnë këtë akuzë. Po ashtu, ish- kryehetuesi ka thënë se Alia ka dhënë urdhër të qëllohet edhe me 20 shkurt 1991, kur u rrëzua busti i diktatorit siç edhe ka stimuluar protestën e heshtur të 28 janarit 1990 në Tiranë. /ShkodraWeb/