Nëse të ardhurat e një personi që jeton vetëm në Shqipëri janë nën 120 euro në muaj ose rreth 16 mijë lekë në muaj, atëherë ky person automatikisht është i varfër sipas përcaktimeve kombëtare të INSTAT për fenomenin e varfërisë i vlerësuar së fundmi ne një anketë të posaçme. Ndërsa një familje me katër persona konsiderohet e varfër nëse ka të ardhura 34 mijë lekë në muaj ose rreth 270 euro.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT 23 për qind e popullsisë së vendit ose 671 mijë shqiptarë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Sipas INSTAT kufiri i rrezikut për të qenë i varfër përfaqëson të ardhurat më të ulta vjetore të disponueshme që një person të mos konsiderohet i varfër. Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër është përcaktuar në 60 % e të ardhurave mesatare te të gjitha familjeve në rang vendi.
Për të matur treguesit e varfërisë INSTAT anketoi në vitin e kaluar 7.582 familje. Treguesit e varfërisë sipas kësaj bazohen në konceptin relativ të varfërisë, i cili merr në konsideratë të ardhurat familjare të disponueshme, numrin e pjesëtareve në familje (madhësinë e familjes) dhe shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet grupeve të popullsisë.
Një tjetër tregues që INSTAT mat është ai i shërbimeve që popullsia mund të përballojë. Sipas vrojtimit të INSTAT u gjet se 38 për qind e popullsisë së vendit ishte e privuar materialisht. Kategoritë e privimit material përfshijnë
Vonesat në pagesat e kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra;
Pamundësia për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia;
Pamundësia për të përballuar një vakt me mish, pule, peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët) një herë në dy ditë;
Pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja;
Pamundësia financiare për të përballuar një telefon (duke përfshirë telefonin celular);
Pamundësia financiare për të pasur një TV me ngjyra;
Pamundësia financiare për të pasur një makinë larëse;
Pamundësia financiare për të patur një makinë;
Pamundësia financiare e familjes për mbajtjen e shtëpisë ngrohtë në mënyrë të përshtatshme.