Shqipëria nuk do t’i bashkohet Bashkimit Europian brenda këtij 10-vjeçari. Është ky parashikimi i BMI Reasearch, kompanisë së Agjencisë së vlerësimit të riskut të kreditit, FITCH. Në raportin e siguruar nga News24, i cili ende nuk është bërë publik, kompania shprehet skeptike për pranimin e Shqipërisë në BE. Sipas këtij raporti pengesë për integrimin vijojnë të mbeten interesat personale kundër reformës në drejtësi. Pavarësisht këtij pesimizmi, BMI vlerëson se fitorja e kryeministrit socialist ka ndikuar pozitivisht në panoramën e përgjithshme të reformës në gjyqësor.
“Panorama e reformës gjyqësore është përmirësuar pas fitores së kryeministrit Edi Rama i partisë socialiste në zgjedhjet e qershorit. Por mbeten ende interesa personale kundër procesit të reformës, që është kërkesa kryesore për pranimin në BE dhe prandaj mbetemi skeptik që Shqipëria të mund të hyjë në BE dekadën e ardhshme”
Në ekstraktin e raportit të riskut për Shqipërinë, edhe parashikimet për rritjen ekonomike të BMI Reasearch mbeten në linjë të kundërt me ato të qeverisë. Për vitin aktual, sipas raportit, ekonomia shqiptare parashikohet me një rritje prej 3,6%, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet një ngadalësim I ritmeve të rritjes në 3.3%, pritshmëri këto larg objektivit prej 4% të qeverisë dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
“Një tkurrje e vazhdueshme e kreditimit të sektorit privat dhe një parashikim për inflacion të dobët do të thotë se ne shohim Bankën e Shqipërisë të mbajë një politikë monetare lehtësuese në 18 muajt e ardhshëm edhe nëse rritja ekonomike mund të përshpejtohet”.
Kjo është vetëm një përmbledhje paraprake e kompanisë së kërkimeve BMI për riskun që paraqet Shqipëria, ndërkohë që raporti me një analizë më të plotë të performancës ekonomike, financiare dhe politikës monetare pritet të publikohet në fillim të muajit tetor.