24 miliardë euro në vit gjenerojnë grupet kriminale në Bashkimin Europian, falë trafikut të drogës. Mes tyre janë edhe grupet kriminale shqiptare, të cilat në raportin e EUROPOL, cilësohen si zotër të marijuanës dhe kanabisit.
Raporti strategjik i EUROPOL, thotë se pikërisht drogat si Kokainë, Heroina dhe Marijuana po mbajnë në këmbë krimin e organizuar, mes tyre edhe krimin në Shqipëri.
“Shqipëria mbetet burimi kryesor i kanabisit i cili trafikohet në vendet e Bashkimit Europian. Rrugën e trafikimit janë nga deti ose nëpërmjet pikave të ndryshme kufitare. Gjithashtu përdoren anije ose gomone për të ccuar drejt vendeve të BE-së, tonelatat e drogës”, theksohet në raportin e EUROPOL.
Raporti ngre shqetësimin se në 5 vitet e fundit, në treg kanë hyrë rreth 620 substanca të reja. Droga e re e cila po merr një përhapje të gjerë, quhet Fentanile. Madje studimi thotë se disa lloj substancash të paligjshme kanë filluar të shiten gjerësisht në internet.
Studimi i jep rëndësi faktit se përveç luftës që po bëhet nga policitë për goditjen e grupeve kriminale, problem mbetet parandalimi i pastrimit të parave. Grupet kriminale fitojnë miliarda euro në vit dhe arrijnë që të pastrojë pjesën më të madhe të këtyre parave, duke investuar në biznese. Vetëm 1% e të ardhurave që fitojnë grupet kriminale, arrin të konfiskohet nga autoritetet. Kjo do të thotë se nga 24 miliardë euro që mendohet se fiton krimi i organizuar nga shitja e drogës, vetëm 2.4 milionë euro pasuri arrihet t’ju konfiskohet këtyre organizatave kriminale.
Sipas raportit grupet kriminale që fitojnë miliona euro nga trafiku i drogës, në disa raste kanë lidhje edhe me terrorizmin. “Strategjia e re synon që brenda viti 2020, të goditet aktiviteti I prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, thuhet në raportin e EUROPOL, agjencisë së zbatimit të ligjit në Bashkimin Europian dhe që ndihmon shtetet anëtare për të goditur krimin e organizuar.