Zbardhet drafti paraprak i plotë të Komisionit të Venecias lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve për Gjykatën Kushtetuese dhe përplasje mazhorancë- Presidencë. Në raport duket se Komisioni i Venecias i jep një të drejtë Presidentit lidhur me përzgjedhjen nga ana e tij të dy anëtarëve për Kushtetuese duke theksuar se ‘’arsyetimi i bërë nga Presidenti nuk ishte i paarsyeshëm.
Hije dyshimi hedh raporti nga ana tjetër lidhur me mënyrën e dërgimit të listave nga KED duke e konsideruar si të ‘’diskutueshme’’. Po ashtu në konkluzionet e saj Komisioni i Venecias i bën apel palëve që të ‘të bëjnë një çarmatim dypalësh’. Por sa i përket shkarkimit të Presidentit, Komisioni Hetimor Parlamentar e përfshiu në proces bashkëngjitur dekretit për anulimin e datës së 30 qershorit për zgjedhjet lokale por Komisioni i Venecias konstaton se ‘’nuk ka baza për shkarkimin e Presidentit”.
Vitin e kaluar KED dërgoi dy lista njëherësh tek Presidenti dhe tek Kuvendi për përzgjedhjen e dy anëtarëve nga secila. Presidenti zgjodhi Besnik Muçin, dhe Komisioni i Venecias vetëm këtë përzgjedhje e quan kushtetuese, edhe pse gjyqtari më vonë u shkarkua nga Vettingu. Të gjitha përzgjedhjet e tjera sipas Komisionit të Venecias janë ‘anti- kushteuese’. Në fakt Presidenti nuk zgjodhi anëtarin e dytë që i kërkohej nga KED duke lënë afatin 30 ditor të mbaronte.
Kuvendi nga ana tjetër përzgjodhi njëherësh brenda një seance Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin kurse Arta Vorpsin e cila ishte e para në të dyja listat e çuara nga KED u konsiderua nga mazhoranca si e përzgjedhur automatikisht pas ‘heshtjes’ së Presidentit.
Por pas këtyre dy përzgjedhjeve Presidenti përzgjodhi Marsida Xhaferllarin duke pretenduar se po mbante radhën që i përcaktonte Kushtetuta që pas Kuvendit zgjidhte Gjykata e Lartë, por me rastin se kjo e fundit nuk funksionon për shkak se nuk plotëson numrin e nevojshëm të gjyqtarëve përzgjodhi Xhaferllarin e cila ishte më pak e vlerësuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Të dyja institucionet si Kuvendi dhe Presidenca iu drejtuan për opinion Komisionit të Venecias dhe presin një përgjigje përfundimtare. /BW/