Ditën e sotme është publikuar raporti mjeko-ligjor për vdekjen e Adelajda Xhamanit, e cila ndërroi jetë më 29 tetor të këtij viti.
Vdekja e gazetares së re dhe ish-konkurrentes së “Big Brother” ishte shumë e papritur, pasi vajza nga Kavaja nuk kishte shfaqur ndonjëherë simptoma serioze dhe askush nuk e priste ikjen e saj.
Sipas mjekësisë ligjore shkaku i vdekjes së 31-vjeçares ishte infarkti kongjestiv në zemër, shkruan gazeta “Panorama”.
Kjo vjen nga një sëmundje e rrallë që quhet “kardoimiopati” dhe prek muskulin e zemrës gjë që dëmton strukturën apo funksionet e barkusheve duke dobësuar zemrën.
Në rastin e Adelajda Xhamanit, mjekët ligjorë thonë se mostrajtimi i kësaj sëmundjeje ka sjellë infarkt kongjestiv që do të thotë dështim i plotë i muskulit të zemrës.
Por, nga ana tjetër, për vetë faktin se ajo nuk ishte diagnostikuar më parë, mjekët nuk përjashtojnë mundësinë se kardiomiopatia në këtë rast mund të ketë qenë idiopatike. Në këtë rast shkaqet e fillimit të sëmundjes janë thuajse të pamundura të përcaktohen me saktësi.
Mjekët ligjorë që kanë kryer autopsinë e 31-vjeçares Adelajda Xhamani, para se të nxirrnin raportin përfundimtar, përjashtuan disa faktorë si shkak të vdekjes së saj. Ata thanë se nuk kishin hasur ndonjë komplikacion që varion nga epilepsia, siç u argumentua nga Policia një ditë pas vdekjes, nga dëshmia e një mikeshe të saj.
Nga ana tjetër, ata thanë se nuk kishin konstatuar të ketë pasur shenja dhune, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, shenja injeksioni apo të përdorimit të alkoolit para vdekjes.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes së ndodhur më 29 tetor, burime nga Mjekësia Ligjore thanë dje se Adelajda Xhamani mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e avancimit të ndonjë sëmundjeje për të cilën ajo nuk kishte dijeni.
Ky ishte konkluzioni paraprak i Mjekësisë Ligjore, në pritje të përgjigjes së analizave biologjike që do të përdoren për hartimin e raportit përfundimtar që do të hedhë dritë mbi shkakun e saktë të vdekjes së saj.
RAPORTI
Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se ishin marrë për analizë pjesë të disa organeve jetësore, por që në ekzaminimin paraprak është përjashtuar mundësia e epilepsisë. Pas daljes së rezultateve të këtyre analizave është hartuar edhe raporti përfundimtar, që konfirmoi dyshimet paraprake të mjekëve ligjorë.
Pra vdekja e 31-vjeçares kishte ardhur nga kardiomiopatia, sëmundje për të cilën ajo nuk kishte pasur dijeni. Për rrjedhojë sëmundja ka avancuar, duke sjellë dëmtimin e strukturës dhe funksionin e barkusheve.
Zemra për rrjedhojë është dobësuar dhe për shkak edhe të mostrajtimi mjekësor, edhe për arsye se nuk ishte diagnostikuar, ka ndodhur infarkti kongjestiv. Pra sipas mjekëve ligjorë, ka ndodhur dështimi i plotë i muskulit të zemrës.