Në mbyllje të sesionit parlamentar, ISP- Instituti i Studimeve Politike, e ka kthyer në traditë të publikojë një raport- radiografi për aktivitetin e deputetëve, në këtë rast, në harkun kohor janar- gusht 2024. Sigurisht, për ShkodraWeb, vëmendja përqendrohet tek qarku i Shkodrës dhe 11 përfaqësuesit e tij në Kuvend.
Që në krye të herës, duhet pranuar se në Kuvendin e Shqipërisë, nuk kemi përfaqësuesit më të mirë të mundshëm, së paku bazuar në statistikat e publikuara nga ISP- ja. Në renditjen e 20 deputetëve më pak efikasë, qarku i Shkodrës “përfaqësohet” me 5 deputetë dhe konkretisht: Agron Çela (PS), Gledis Çeliku (PSD), Lodovik Hasani (PD), Meri Markiçi (PSD) dhe Paulin Sterkaj (PS).
Ndërkohë, qarku i Shkodrës nuk përfaqësohet me asnjë deputet as në renditjen e 20 deputetëve më efikasë në legjislaturën e fundit dhe vetëm Emilia Koliqi renditet e 24- a ndërsa në legjislaturën e kaluar ishte ndër 13- të deputetët më efikasë.
Edhe në renditjen e deputetëve sipas qarqeve, deputetët e Qarkut Shkodër kanë efikasitetin më të ulët, duke u renditur edhe këtu të fundit me 23,3 pikë, të parakaluar edhe nga qarku i Kukësit, ndërsa më efikasët rezultojnë deputetët e Qarkut të Gjirokastrës me 38,3 pikë.
Edhe më keq janë deputetët e Qarkut të Shkodrës në renditjen për zero efikasitet për angazhime në Kuvend, në komisione dhe/ose seanca ku rreshtohen 7 nga 11 deputetët aktuale dhe konkretisht: Agron Çela (PS), Gledis Çeliku (PSD), Lodovik Hasani (PD), Meri Markiçi (PSD), Helidon Bushati (PD), Frrok Gjini (PS) dhe Paulin Sterkaj (PS).
Ndërsa të plotë raportin e ISP mund ta lexoni duke klikuar KËTU, është e qartë se Qarku i Shkodrës, në prag të zgjedhjeve të ardshme politike, është në krizë përfaqësimi nga të gjithë krahët politikë. Të paktën sipas statistikave të publikuara nga ISP- Instituti i Studimeve Politike. /Nga ShkodraWeb/