Nuk është hera e parë që jo për shkakun tim, vihem në shënjestër të ndonjë mediaje sociale dashakeqe. Kam menduar se kjo është një formë gjobëvënieje “moderne” që vazhdon të përdoret rëndom ndaj komunitetit të biznesit për përfitime momenti. Por, insinuata e fundit duke hedhur akuza të ulëta për diskriminim fetar në biznesin tim, nuk më prekin vetëm mua, por të gjithë besimtarët myslimanë si dhe të gjithë ata njerëz të ndershëm, që punojnë palodhur natë e ditë në rrjetin e “Big Market”.
Ndaj vendosa të reagoj publikisht.
Rasti i Elsës në Shkodër ishte një keqkuptim personal, një rast i izoluar dhe kurrsesi një politikë e kompanisë. Përkundrazi, në kodin e sjelljes së “Big Market” shkruhet e zeza mbi të bardhë se askush nuk mund të diskriminohet për shkak të bindjeve fetare.
“Big Market” është promotor dhe shembull i vlerave të bashkëjetesës mes gjinive, origjinave, moshave, bindjeve politike dhe feve të ndryshme. Unë vetë së bashku me familjarë dhe pjesëtarë të stafit tim, hoxhën e nderuar Ahmed Kalaja, deputetin Florenc Spaho, psikologen dhe mbrojtësen e të drejtave të grave, Edlira Durmishaj, juristin Eduard Duka dhe përfaqësues të kompanisë shkuam e takuam vetë Elsën në Shkodër.
Elsa është një vajzë e zgjuar, shembulli përfaqësues i nje brezi me dëshirën për të investuar tek vetja, që kërkon gjithmonë më të mirën dhe përcjell vlerat dhe identitetin e saj. Në këtë takim patëm mundësi të sheshojmë çdo paqartësi në lidhje me situatën e krijuar orët e fundit, ku shumë nga deklaratat u keqinterpretuan dhe qëndrimet e “Big Market” u hamendësuan, duke krijuar kështu edhe një atmosferë të pashëndetshme rreth besimit fetar dhe të drejtat që stafet tona realisht gëzojnë, në të gjitha pikat “Big Market” kudo në Shqipëri.
Pas bisedës së hapur dhe të sinqertë u dakordësua që rasti i Elsës ishte një keqkuptim dhe ajo ka përherë dyert e hapura për të punuar në “Big Market”, me meritë dhe liri të plotë për të ushtruar të drejtat e saj si besimtare dhe si punonjëse. Këto të drejta janë të garantuara për shumë besimtarë, të të gjitha feve, të cilët bëjnë pjesë në skuadrat tona.
Falenderoj çdokënd të angazhuar me zgjidhjen e këtij keqkuptimi. Kushdo që më njeh, e di që s’kam vuajtur kurrë nga asnjë lloj paragjykimi për asgjë, aq më pak mbi baza fetare. Unë vetë kam miq e bashkëpunëtorë të të gjitha besimeve, të cilët vlerësohen të gjithë njëlloj.
Një nga margaritarët e shquar të vendit tonë , i njohur ndërkombëtarisht, është bashkëjetesa fetare. Ajo është një pemë që do ujitur e kujdesur çdo ditë, për ta ruajtur të shëndetshme, siç e kemi. Unë dhe kolegët e mi punojmë çdo ditë për këtë.
Kush më bukur se hoxhë Ahmed Kalaja mund ta përmblidhte këtë incident:
“Ky rast ishte një moment i çmueshëm për të vlerësuar se harmonia fetare për të cilën krenohemi, i reziston çdo fushate dezinformimi. Besimi i vërtetë mbizotëron çdo tentativë për përbaltje dhe ndasi fetare”.
Ndaj, sot e gjithmonë, asgjë s’do na pengojë të vazhdojmë të punojmë në çdo fushë me përkushtim dhe ndershmëri, në politikë, biznes e kudo.
Dhe në fund, qëndrimi publik i vetë Elsës na ngroh zemrën dhe konfirmon bindjen se me dialog të sinqertë, nuk ka keqkuptim që nuk zgjidhet:
“Me sinqeritetin më të madh dua të them se ishte shumë i frytshëm për të dyja palët.
U krijua një kauzë e përbashkët dhe reagimi i kompanisë erdhi në formën më të mirë.
Problematika ime mori një zgjidhje, por kauzës që iniciova i qëndroj.
Motra bëhuni zëri i vetvetes!
Ndoshta në fund jo të gjithë bizneset/institucionet/ personat janë kaq bashkëpunues dhe të kuptueshëm por nëse keni qëllimin e pastër Allahu ju lartëson dhe ju ndihmon në çdo sfidë! Islami është paqe!”.
Ju uroj një javë të mbarë! /Publikuar në Facebook nga Vullnet SINAJ, deputet i PS- së dhe pronar i BigMarket/