“O popull, sa gjëra thuhen në emrin tënd…”, kjo shprehje nga filmat e realsoc mu kujtua teksa rrjetet sociale u pushtuan në kuptimin e plotë të fjalës, nga publikime pro dhe kundër verdiktit të “14 majit” në Shkodër. Që të gjithë, flasin në emër të Shkodrës, i qajnë hallin apo i paralajmërojnë parajsën pas këtyre zgjedhjeve vendore.
Të gjithë harrojnë se Shkodra ka qenë, është dhe do të jetë edhe pas këtyre udhëtarëve aktualë të jetës njerëzore. Sigurisht, ka qenë edhe atëherë kur njeriu u ngrit nga katër këmbët për të ecur me vetëm dy, e dy të tjerat i stërviti si duart që njohim sot. Është edhe sot, në epokën e rrjeteve sociale, duke i dhënë gojë e zë edhe jo pak budallenjve.
Askush nuk ka mundur, nuk mundet e nuk do të mundet, të flasë në emër të Shkodrës. As ta qortojë, anatemojë dhe të përpiqet ta futë në linja kritike apo turpërimi. Madje, as ata që e kanë udhëhequr që nga lindja e saj, e udhëhoqën, e udhëheqin e do ta udhëheqin. Kanë marrë ose jo vota, e kanë vjedhur, ndërtuar, shkatërruar, kërcënuar apo lajkatuar përgjatë shekujve.
Sepse kështu është Shkodra. Nuk ka një datë lindjeje fikse, sigurisht, nuk ka e nuk do të ketë as datë vdekje. Shkodra është e përjetshme, e pavdekshme dhe e papërsëritshme. Sepse përndryshe, nuk do të ishte Shkodër.
I ka hapur dyert çdokujt, i ka dhënë mundësi ta dojë çdokush, ia ka kthyer me të njëjtën monedhë sa herë është vlerësuar apo cënuar. “Rregullat e lojës”, nuk ia kanë përcaktuar asnjëherë. Ka qenë e paparashikueshme atëherë kur askush e priste apo e mendonte. E kështu do të jetë gjithmonë, pavarësisht vullnetit të vdekatarëve.
Një lutje modeste: Mos flisni në emër të Shkodrës! Askujt nuk ia ka dhënë këtë të drejtë kjo “Zojë e randë” që ka ekzistuar, ekziston e do të ekzistojë pavarësisht vullneteve, edhe atyre që në këtë segment kohor, janë të fuqishëm, plotfuqishëm apo mbifuqishëm. Edhe ata do të harrohen, në rastin më të mirë do të jenë emra në kujtesë. Por asnjëherë të përafërt me emrin Shkodër!
Thjesht, shijojeni e jetojeni Shkodrën, krenarinë e të qenurit në prehrin e saj! Ashtu siç ajo ka dëshirë t’ju qaset. Sepse nuk mundeni ti imponoheni. Kështu ka mësuar edhe banorët e saj të radhës. Mos i shpenzoni ditët tuaja për të numëruar para apo mbrapsht ditët e Shkodrës. Është sipërmarrje e dështuar. E ka treguar historia! /Shënim i ShkodraWeb/