Me 13 dhjetor 1990, nuk kam qenë pjesëmarrës i protestës për rrëzimin e bustit të diktatorit përballë ish- Komitetit Ekzekutiv, sot Bashkia Shkodër. Isha nxenës i shkollës “Jordan Misja” dhe paraditen e asaj dite, në oborrin e shkollës u futen një grup të rinjsh. U afruan tek dritaret e katit të parë ku ne po zhvillonin lëndën e gjuhës së huaj, të ndarë në dy grupe: rusisht dhe frëngjisht. Të rinjtë tentuan të hapin me forcë derën brëndshme e shkollës, por nuk ia dolën. Atëhere u afruan tek dritaret duke na nxitur të dalim nga shkolla për tu bashkuar me ta. Natyrisht, ishte e pamundur, ndërsa disa nxënës nga nuk di se ku, arritën të dalin dhe ti bashkohen grupit. Mësueses së rusishtes, Katjushës i ra të fikët.
Pas mesimit, kur dyert u hapën, një pjesë tonën, kurioziteti i bëri ti drejtohen “Dugajeve të Reja”. Aty u ndalëm deri afër librarisë. Ishte shpërthyer dhe librat- kryesisht vepra të dikatorit, ishin flakur në rrugë.
Pasdite, kur terri kishte nis të binte, si çdo mbrëmje me shokë dolëm në Piacë. Ajo që binte ne sy, ishte shpërthimi i disa dyqaneve në rrugen muze nga “Dugajet e Reja” deri tek Posta. Ishte shpërthyer edhe “Dyqani i Valutës”, siç njihej në Shkodër. Madje, edhe në ato momente kishte persona që hynin dhe kontrollonin nëse kishte mbetur gjë pa marrë. Të nesermen mësuam se ishte grabitur gjithçka.
Pas kësaj ngjarje, ankthi në qytet ishte i madh. Edhe pasiguria. Lindja e PD- së dhe ardhja e saj në Shkoder (jo zyrtarisht) kishte krijuar një situatë të pashpjegueshme. Kishte optimizëm, por edhe dëshirë për të provuar diçka te re. Kësaj i bashkohej edhe frika se çfarë mund të ndodhte. Në fakt, nuk ndodhi asgjë e keqe ato ditë. Në janar 1991 u zhvillua mitingu në sheshin e Perashit, madhështor, ndër më të bukurit që unë të paktën, kam parë si dëshmitar okular.
13 dhjetori 1990 shënjoi zyrtarisht rrugën që do të merrte Shkodra, të cilën e ndoqi për rreth 33 vite. Mbështeti PD- në, pavarësisht situatave dhe kujt ishte në qeverisje qendrore të vendit.
13 dhjetori ka edhe një tjetër domethënie. Është tregues i asaj, që në emër të luftes ndaj komunizmit, u shkatërruan mijëra prona publike. Krejt ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, të cilat nuk shkatërruan objekte, fabrika e uzina, por thjesht ndryshuan teknologji. E kemi paguar dhe vazhdojmë ta paguajmë shtrenjtë këtë çmenduri, e cila edhe na u injektua politikisht.
13 dhjetor 1990 është një ditë që meriton respekt! Pavarësisht emrave, është simbol i ngritjes së një qyteti në emër të lirisë. Është një ditë për të cilën duhet të jemi krenarë të gjithë sepse ata që vepruan, e ideuan dhe e bënë edhe në emrin tonë, në emrin e atyre që nuk janë më por edhe atyre që do të vijnë! Sigurisht, mirë do të ishte që kjo ditë të mos shënjohej edhe nga thyerja, shpërthimi, vjedhja e grabitja e disa individëve të papërgjegjshëm, por mund të konsiderohen “dëme anësore” që nuk e zbehin aspak 13 dhjetor 1990.
Mësimi më i vlefshëm që ndoshta solli 33- vjet më parë kjo ngjarje, është edhe më i rëndësishëm. Bustet e diktatorëve nuk duhet të ngrihen në sheshet tona, edhe po u gritën, duhen shëmbur si me 13 dhjetor 1990. Por lufta më e vështirë mbetet ajo e shembjes së busteve të diktatorëve që vazhdojnë të jenë në zemra, në shpirt! Edhe për ato mbase, ka nevojë për një 13 dhjetor tjetër! /Nga Blerti DELIJA, ish- nxënës i “Jordan Misja” me 13 dhjetor 1990/