Sot, në orët e para të mbrëmjes, opozita shqiptare ka njoftuar një protestë. Sipas organizatorëve, do të jetë “protesta e shekullit”. Është zgjedhur një simbolikë e fortë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fillimviteve ’90, rrëzimi i bustit të diktatorit me 20 shkurt 1991. Ndryshon vetëm orari i dy eventeve, në orët e pasdites së 33 viteve më parë, busti ishte shkulur nga piedestali në qendër të Tiranës.
A mund të ketë analogji mes 20 shkurtit sot dhe atij 33 vite më parë? Sigurisht, por të pakta në dukje. Të dyja ishin protesta, njëra e organizuar apo vetëorganizuar nga poshtë- lart (natyrisht edhe me ndonjë ndezje fitili në prapaskenë), tjetra e thirrur nga opozita në shenjë bashkimi mes 2 nga tre fraksionet zyrtare të saj me sistemin nga lart- poshtë. Opozita e konsideron situatën e vendit në këtë 20 shkurt, më të rëndë se 33 vite më parë.
A ka analogji të tjera mes dy “20 shkurteve”? Sigurisht! Pas 33 viteve, në krye të politikës e të qeverisjes së vendit, janë të njëjtët aktorë. Mbase mund të kenë ndryshuar vendet, por janë të njëjtët. Mbrojtës të bustit të diktatorit sot mund të jenë ndër më të ashprit e qendrimit opozitar, sulmuesit e bustit të diktatorit asokohe, mund të jenë përballë tyre. Ose anasjelltas. Sepse ky është realiteti i 33 viteve. A ju kujtohen “vullnetarët e Enverit”, janë shpërndarë në të gjitha anët e politikës sot!
Ky 20 shkurt, si ai i 33 viteve të shkuara, të paktën një pjesë të shqiptarëve, i gjen në protestë. Organizimi i tyre, është një nga shenjat e shendetit të mirë të një demokracie. Në fakt, mirë do të ishte që opozita dhe mazhoranca, së bashku, të përkujtonin një nga simbolikat më të forta të rifillimit të sistemit demokratik në këtë vend. Nuk më kujtohet të ketë ndodhur kështu në asnjë nga 20 shkurtët e këtyre 33 viteve.
Problemi i parë i datave të para dhe pas 1990- ës, është ai i privatizimit të tyre. I dyti, jo më pak i rëndësishëm, është kompleksi i krijuar në shumë segmente të klasës politike për ngjarje të para dhe pas 1990- ës, duke i konsideruar si festa apo evente të “atyre”. I treti dhe mbase më i rëndësishmi, jo vetëm nuk kemi shkulur bustet e diktatorëve nga zemra e nga shpirti, por jemi përpjekur e përpiqemi çdo ditë të ngulim buste të reja.
Gjykojmë se edhe kjo e ka një arsye madhore. Lidhet me ekonominë familjare të mijëra familjeve shqiptare. Për shkak të mentalitetit por edhe komoditetit, linjat politike të pushtetit apo drejt pushtetit, shihen si mundësi reale për të garantuar komponentin ekonomik. Shkurt. si mundësi punësimi e shpejtë dhe e sigurtë. Kjo ka krijuar problematikë të thelluar në mes “popullit opozitar” dhe atij qeverisës, sipas rotacioneve që kanë ndodhur kët0 33 vite.
Masivisht, “populli opozitar” ndjehet e është më i varfër ekonomikisht, situatë që ndryshon kur krahu i tij politik vjen në pushtet. Kështu ka ndodhur këto 33 vite të paktën. Në këtë vend, është krijuar hendeku që po shkatërron këtë shoqëri me stigmat “i pasur shumë” dhe “i varfër shumë”. Ajo që mund të konsiderohet balanclmbajtëse e shoqërisë, shtresa e mesme, nuk është krijuar, nuk lejohet e nuk do të lejohet të krijohet në këtë vend. Në shtete e demokraci të zhvilluara, pikërisht kjo shtresë udhëheq dhe vendos në zgjedhje.
Sot protestohet sërish, si 33 vjet më parë. Nga kjo protestë priten shumë verifikime, qoftë për opozitën, qoftë për mazhorancën. Por akoma pa nisur e përfunduar ajo, të gjithë besoj kemi arritur në një përfundim: Sa pak kemi ecur në 33 vite, sa ëndrra tonat tashmë e kemi të vështirë ti shohim të realizuara tek bijtë tanë, mbase edhe tek nipat e mbesat! Edhe ato pak hapa, krejt të pamjaftueshëm, i kemi hedhur në drejtimin e gabuar. Të paktën për shumicën e shqiptarëve. /Nga Blerti DELIJA/