Në fillim të marsit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në kalatat e portit më të madh të vendit. Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit (Itali) janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish nga Shqipëria.
Tre vjet më parë Autoriteti Portual APD, në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH organizoi një fotoekspozitë me momente nga ditët e eksodit të marsit dhe gushtit të vitit 1991.
Një homazh për qindra e mijëra të rinj e të reja që u larguan me anije nga vendi, duke i dhënë grushtin e fundit diktaturës. Kështu u konsiderua nga shikuesit e shumtë fotoekspozita “Porti i Durrësit – 25 vjet pas Eksodit”, e cila u hap më 2 mars 2016 në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit.
25 fotot e paraqitura me logon e ATSH-së mbanin firmën e fotografëve Gani Xhengo, Arben Çela dhe Mihal Progonati, dhe bashkë me ngjarjet e eksodit të vitit 1991 sollën edhe momente nga puna në port gjatë viteve 1970-1980. Fotot e kësaj ekspozite paraqiten herë pas here nga APD në veprimtari të ndryshme njohëse në portin më të madh të vendit. /Nga Gëzim KABASHI/