Policia e Shkodrës ka njoftuar ditën e sotme një aksion të suksesshëm, për kapjen e një 42 vjeçari, i cili ishte i shkallur në kërkim që nga viti 2013. Bëhet fjalë për Lush Pjolla, i cili u kap në pyjet e zonës së thellë të Dukagjinit. Në fokus, është një nga “sagat” të të rënda që kanë tronditur jo vetëm këtë zonë, por të gjithë Shkodrën. Gjithçka duket se ka nisur në vitin 2003, ku një çift bashkëshortësh- Nik e Lula Pjolla, humbën jetën. U raportua se autori i dyshuar ishte Nik Tonaj. Nga aty, nisi edhe “saga” e cila vazhdon edhe sot, me një tjetër kapitull. Më poshtë, një material i përgatitur nga mediat para rreth 7 viteve.
RAPORTIM I MEDIAVE ME 17 SHTATOR 2012
“Për 9 vite prita të arrestohej autori i vrasjes së prindërve të mi, por asnjëherë nuk u prangos. Atëherë vendosa të merrja vetë hakun”. Jo vetëm kaq 33 vjeçarja, Lena Pjolli që ekzekutoi Marash Tonaj pak ditë më parë në Dukagjin do të shonte: “Përmbusha amanetin me armën e babait tim që e kisha ruajtur për 9 vite me radhë“.
Kjo është dëshmia rrënqethëse që Lena Pjollit, dha sot paradite para gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës, ku u dha vlerësimi i masës së arrestit burg. 33 vjeçarja, madje deklaroi se pikërisht për të marrë hakun e prindërve nuk ishte fejuar apo martuar.
Ja si ka rrjedhur ngjarja të mërkurën e 13 shtatorit, kur ndodhi dhe krimi. Lena Pjolli ka qënë duke u kthyer në shtëpinë e saj në Vuksanaj në komunën Shalë kur është ndeshur me vëllanë e autorit të krimit, Marash Tonajn. Mes tyre ka nisur një debat. Më pas 33- vjecarja është larguar për në banesë ku ka marrë kallashnikovin, të cilin e kishte të ruajtur pasi ia kishte lënë i ati i saj, dhe me të ka qëlluar në drejtim të 49- vjecarit.”.
Më 13 korrik të 2003 në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit u vranë bashkëshortët Nik e Lula Pjolli. Çifti Pjolla u qëllua me automatik duke lënë jetimë 6 fëmijë, dy djem e katër vajza. I dyshuar për këtë vrasje është Nik Tonaj, vëllai i viktimës, Mark Tonaj. Konflikti mes familjes Pjolli dhe asaj Tonaj ishte për vijën e ujit për vaditje ku dy palët pretendonin të kishin radhën e vaditjes. Aktualisht ndaj Nikë Tonaj, i cili ndodhet në drejtim të paditur gjykata ka dhënë dënimin me 25 vjet burg në mungesë. Atëherë Lena Pjolli ishte vetëm 24 vjeçe.
Përpara togave te zeza prokurori i çështjes Ermir Lelcaj kërkoi shpalljen e ligjshme të ndalimit të 33 vjecares dhe caktimin si masë sigurie arrestin me burg. Nga ana tjetër avokati mbrojtës Gjovalin Kolndreaj e la në dorën e gjykatës caktimin e masës së sigurisë. Gjykatësja e ceshtjes Irida Kacerja vlerësoi të ligjshëm ndalimin ndërsa ka caktuar si mase sigurie arrest me burg ne dhomat e paraburgimit ne burgun e Shen Kollit. 33 Vjeçarja u vetëdorëzua po më 13 shtator duke marrë përsipër autorësinë e krimit. Policia dyshon se për vrasje e reja bashkëpunoi me vëllanë e saj.
NJOFTIMI I SOTËM I POLICISË SË SHTETIT, 29 MAJ 2019
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dukagjini”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar. Operacioni në Dukagjin nga strukurat e DVP Shkodër zhvilluar në kushte të vështira të motit dhe terrenit.
Kapet dhe ndalohet i shumëkërkuari, i dënuar me 23 vite burg për “Vrasje”.
Gjithashtu në vijim të operacionit u kap në Shkodër edhe një shtetas tjetër i dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve‘’.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dukagjini”.
Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit.
Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vjet burgim për veprën penale “Vrasja me paramendim”, pasi me datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin M. T. 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.
Gjithashtu u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Edmond Beqari, 40 vjeç, banues në Shkodër, pasi është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 5 vjet e 6 gjashtë muaj burg për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.