Një humbje minimale në Qipro ishte e pranueshme për drejtuesit e Vllaznisë. Sponsori Alban Xhaferi, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes së djeshme, deklaroi se ka besim absolut që rezultati 1-0 do të përmbyset në Shkodër. Biznesmeni konfirmoi se në dispozicion të ekipit është vendosur një premio 70 mijë euro në rast kualifikimi. Ai tregoi edhe për problemet para sfidës në Limasol.
Alban, ju mërzit ky rezultat apo është i pranueshëm?
Nuk jemi aspak të mërzitur për këtë humbje. Mendoj se rezultati 1-0 është i kthyeshëm në Shkodër. Në pjesën e parë kemi luajtur shumë mirë, të paktën deri në minutën e 40-të. Pastaj, normalisht AELi na vendosi nën presion, por djemtë u munduan të bëjnë më të mirën. Sigurisht ka vend për përmirësime, por kemi edhe një ndeshje, ku besojmë shumë. Jemi optimistë se do të kualifikohemi.
Pse besoni kaq shumë, çfarë ju bind?
Unë mendoj se janë dy arsye. Së pari besojmë se kemi një skuadër me cilësi që mund të bëjë një tjetër përmbysje. Së dyti, duke parë kundërshtarin, mendoj se nuk është i pakalueshëm, paçka se dukshëm është një skuadër shumë e mirë nga Shiroki që luajtëm në turin e parë.
Nuk duhet të dorëzohemi absolutisht. Ndaj AEL-i duhet vlerësim i madh në Shkodër, pasi janë në nivel më të lartë se kundërshtari i turit të parë. Me pak më shumë kujdes, besoj se do t’u shënojmë në Shkodër dhe do t’i kalojmë brenda 90 minutave.
Goli u pësua në një moment kur pritej vërshëllima e arbitrit për përfundimin e pjesës së parë. Çfarë menduat në ato çaste?
Natyrisht kjo ishte keqardhja e vetme nga ky takim, sepse ishte duke përfunduar loja dhe nuk u menaxhua mirë rasti. Qipriotët krijuan hapësira në një moment ku nuk pritej, por ishte edhe faji ynë. Me një rezultat 0-0 në pjesën e parë, do të shikonim tjetër ndeshje.
Gjithsesi, rëndësi ka që nuk pësuam dy gola. Rastet për ne ishin të kufizuara, por kemi qenë të ndërgjegjshëm për këtë, siç e kemi thënë edhe para ndeshjes, që një humbje minimale, nuk do të na krijonte problem. Kemi shumë shpresa për ndeshjen në Shkodër.
Sa do të jetë premio në rast kualifikimi për në turin e tretë?
Kemi premtuar 70 mijë euro për kualifikimin.
Si është e vërteta me lojtarët që u tha se patën probleme shëndetësore para ndeshjes me AEL-in?
Po, e vërteta është se kemi pasur probleme para kësaj ndeshjeje, sepse disa lojtarëve u ka bërë keq ndryshimi i klimës. Ndoshta kanë ndonjë virozë të lehtë, por 3- 4 prej tyre rrezikuan të luanin sot (dje). Ardit Hoxhaj e ndjeu më shumë se të tjerët lodhjen dhe nuk arriti të rikuperohej, ndërsa futbollistët e tjerë luajtën pasi e morën veten duke bërë serume.