‘Piranjat Show’, emisioni satiriko-investigativ përgatitet të nisë sezonin e tij të katërt. Pas dy sezoneve të para në ABC, formati i suksesshëm televiziv, nisi bashkëpunimin me SYRI TV, atje ku do ta shohim edhe gjatë sezonit që do të startojë më 15 Shtator.
Sipas autorëve të emisionit, ky sezon pritet të sjellë të tjera tema investigative, të trajtuara shpesh herë me doza ironie dhe komiciteti, pjesë e pandarë e këtij formati. Piranjat do të vazhdojnë të ndjekin këmba këmbës të korruptuarit, mashtruesit, dhunuesit, abuzuesit dhe këdo tjetër që vepron në paligjshmëri në këtë vend. Përveç investigimeve nuk do të mungojnë edhe intervistat, historitë njerëzore, reportazhet dhe padyshim kamerat e fshehta gazmore.
‘Piranjat’ vijnë edhe me ndryshime në staf.
Krahas prurjeve të reja në redaksi, ndryshim do të ketë gjithashtu dhe drejtimi i spektaklit, ku bashkë me Florjan Binaj, këtë sezon do të jetë edhe Dojna Mema. Një dyshe drejtuese që nuk mund të kalojë pa u komentuar në këtë eksperiencë të parë së bashku.
Moderatorja e njohur e ka ndarë lajmin për ndjekësit e saj ne rrjetet sociale.
‘Rikthehem këtë sezon në një shtëpi të re dhe me përgjegjësinë e një formati që bëhet zëri i atyre që nuk dëgjohen’, ka shkruar ajo në Instagramin e saj.
Ndërkohë që Binaj, në sezonin e tij të katërt tëk Piranjat, ka përdorur ironinë.
‘Nga 15 Shtatori nëpër menutë e institucioneve, nuk do të ketë më peshq, por vetëm Piranja’, shkruan ai.
Starti i sezonit të katërt të ‘Piranjat Show’, do të jetë mbrëmjen e së premtes 15 Shtator, ora 20:44, me dy ore spektakël të pangatërrueshëm me asgjë tjetër.